Strukturat drejtuese të Partisë Demokratike u mobilizuan njëra pas tjetrës për të vendosur mënyrën dhe formën e reagimit për dënimin me burg të Ervin Salianjit. Por orët e gjata dhe mbledhjet të një pas njëshme nuk sollën një qëndrim konkret publik.
Fillimisht grupi parlamentar e më pas kryesia e partisë diskutuan për opsionet ku mesa duket ishte vetëm një, protesta kundër arrestimit të kolegut të tyre, por se kur dhe ku, nuk u arrit të përcaktohej, shkruan A2 CNN.
Vetë Sali Berisha në një fjalim të dedikuar për deputetin e tij, vuri përpara përgjegjësisë pjesëtarët e tjerë të kryesisë dhe grupit parlamentar, duke u shprehur se Salianji u dënua në emër të tyre, dhe ata duhet të reagojnë.
Kryedemokrati kërkoi nisjen e një vale protestash në të gjithë vendin, ku kërkoi mobilizimin e anëtarësisë në çdo qytet e shesh të vendit.
Mbledhja me dyer të mbyllura qartësoi idetë e aksionit opozitar. Strukturat do të dalin në terren në ditët në vijim për të organizuar bazën e partisë për një protestë kombëtare në datën 6 tetor.
“Data 6 do të jetë dita e parë e aksionit opozitar të vjeshtës. Ne nuk mund të rrimë duar kryq, kur drejtësia e re vepron në shkelje të ligjeve dhe kushtetutës, kur drejtësia e re bëhet marionetë në duart e Ramës dhe regjimit, kur drejtësia e re vendos padrejtësinë e saj si normë ndaj opozitës, dhe kur drejtësia e re funksionon si organizatë kriminale për të pastruar dosjet e krimit të Ramës, Veliajt dhe pushtetarëve. Edi Rama me vendimin e burgosjes së nënkryetarit të grupit parlamentar Ervin Salianji kërkon të kërcënojë opozitën se, kush lufton kundër Ramës dhe ministrave të tij, kush denoncon Ramën dhe ministrat e tij, kush denoncon narkotrafikun dhe lidhjet e Ramës me krimin e organizuar e pret ky fat. Atëherë opozita nuk mund të rrijë duarkryq. Nuk bëhet fjalë për protestë thjeshtë kombëtare; përshkallëzim. E kemi thënë dhe po e them sot, përshkallëzim”, tha Noka, shkruan A2 CNN.
E derisa strukturat të mobilizohen, vetë deputetët e PD-së duket se e kanë një përballje të parë me mazhorancën, që për ta ka shkelur çdo vijë të kuqe.
E hëna e javës që vjen do të mbledh në sallën e parlamentit demokratë e socialistë në seancë plenare, vend në të cilin era e baruti dhe tymi i flakadanit jo pak herë është ndierë. (A2 Televizion)