Grupi “Asnjë Cent ma Shumë” ka organizuar protestë në Prishtinë më 5 prill, duke kërkuar që të mos merret vendim për shtrenjtimin e energjisë elektrike.
Duke mbajtur në duar parulla sikurse: “Shteti hesht, qytetarët s’ndalen”, “Tarifat e reja, padrejtësi e re”, “KEDS-i t’i kthehet popullit”, “Varfërimi i shumicës, pasurimi i pakicës”, “S’ka dritë me padrejtësi”, qytetarë të mbledhur afër ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, kundërshtuan kërkesën nga kompanitë e energjisë për rritjen e tarifave të energjisë për 15 për qind.
Aktivisti Besnik Shabiu tha se kërkesa e tyre karshi Zyrës së Rregullatorit të Energjisë ka qenë e qartë që nga fillimi, duke thënë se qytetarët nuk e meritojnë të paguajnë më shtrenjtë asnjë taksë.
“Kërkesa është e qartë: të pezullohet vendimi për shtrenjtimin për 15 për qind, siç është paralajmëruar, i rrymës. Të rihapet një diskutim i gjerë, ku edhe ne do të bashkëpunojmë. Të bëhet një plan afatgjatë, një strategji e cila do ta nxjerrë Kosovën një herë e përgjithmonë nga problemi energjetik. Deri të premten, më 11 prill, dita kur ZRRE pritet të marrë vendimin ne presim që institucionet relevante të reflektojnë dhe të dalin para qytetarëve, të heqin dorë nga kjo poshtërsi”, tha ai, duke shtuar se nëse merret vendimi për shtrenjtimin e rrymës, atëherë do të organizohen protesta të tjera.
Organizatorët e protestës thanë se përveç shtrenjtimit të rrymës, së voni është paralajmëruar edhe një valë e rritjes së çmimeve të produkteve dhe shërbimeve, andaj thanë se qytetarët e Kosovës “nuk e meritojnë t’iu vështirësohet më shumë jeta”.
Pas protestës në sheshin Skenderbeu, protestuesit vazhduan marshimin drejt ndërtesës së Ministrisë së Ekonomisë. Aty ata vendosën parullat, në mënyrë që, sipas kur zyrtarët të shkojnë në punë, të shohin pakënaqësitë e qytetarëve.
Organizatorët e protestës në Prishtinë paralajmëruan protestë të re më 11 prill, nëse merret vendimi për rritjen e tarifave të energjisë.
Zyra e Rregullatorit për Energji ka paralajmëruar se, nga ky muaj, faturat e energjisë elektrike mund të rriten për 15 për qind.
Kërkesën për rritjen e çmimit të rrymës e kanë bërë kompanitë e sektorit të energjisë në Kosovë.
Aktualisht, për konsumatorët në Kosovë që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat. Në rast të shtrenjtimit për 15 për qind, ata do të paguanin 8.96 centë.
ZRRE-ja i shqyrton dhe cakton tarifat e energjisë elektrike çdo vit dhe ato janë në fuqi nga 1 prilli deri më 31 mars të vitit pasues./REL