Pse Donald Trumpi ka frikë të largohet nga Shtëpia e Bardhë?

0

Nga Timothy L. O’Brien

Donald Trump është njeriu më me fat në botë. Ndryshe nga gjithë të tjerët, ai ka qenë i mbrojtur nga pasojat e gabimeve të tij, të kryera gjithë jetës së tij. I lindur në një familje të pasur, ai nuk pati probleme për shkak të rezultateve të dobëta në universitet, dhe as nga telashet në biznes të babait të tij.

Duke u shfaqur në publik si një yll i televizionit në fillim të viteve 2000, Trump zbuloi se fama i jepte mundësi të ishte po aq grabitqar sa të donte, pa pasur asnjë pasojë negative. Dhe hyrja e tij në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2016, i dha një imunitet të fortë ligjor, të cilën ai e interpretoi në mënyrën e gabuar.

Megjithëse Trump gjatë viteve ka hasur shumë vështirësi të tjera, nga kërcënimi i falimentimit të bizneseve që ka, tek akuzat për sulme seksuale, një hetim intensiv federal, dhe një fajësim (impeachment), ai ka ecur përpara relativisht i padëmtuar, dhe pa asnjë ndjenjë keqardhje.

Pasuria, fama dhe presidenca e kanë mbajtur atë të plotfuqishëm. I gjithë ky izolim ka bërë

që ai të mos mësojë në asnjë rast nga gabimet e tij. Çdo dështim personal dhe publik, është shtyrë ose lënë mënjanë. Por tani Trump, po sheh t’i afrohen 2 kërcënime teksa bëhet gati të lërë Shtëpinë e Bardhë në janarin e vitit të ardhshëm.

Njëra është e natyrës financiare, tjetra e natyrës ligjore. Dhe asnjëra nuk është plotësisht nën kontrollin e tij. Këto dy kërcënime mund të ndihmojnë në shpjegimin, së bashku me paaftësinë e tij të përhershme për ta pranuar humbjen, se përse Donald Trump nuk do ta pranojë që presidenti i zgjedhur Xho Bajden do ta pasojë atë në detyrë

Dhe pse i ka kërkuar Partisë Republikane ta ndihmojë, që të “ndriçojë” amerikanët në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve të fundit presidenciale. Trump dhe moria e bizneseve që ai strehon brenda Organizatës Trump, kanë më shumë se 1 miliard dollarë borxhe.

Një pjesë e tyre është zbuluar gjatë viteve të fundit, nga të dhënat personale financiare të presidentit që gjenden në dosjen e depozituar pranë Zyrës së Etikës Qeveritare. “The Neë York Times”, zbuloi kohët e fundit se Trump ka garantuar personalisht të paktën 421 milion dollarë të borxhit, me më shumë se 300 milion dollarë që do duhen paguar brenda 4 viteve.

Pra Trump është në kërkim të një shume parash, që mund t’i duhen për të paguar në kohën e një ekonomie të goditur nga Covid-19, në të cilën industritë e tij – hotelet, pasuritë e patundshme në qytete- kanë pësuar një dëm të konsiderueshëm.

“Forbes” vlerëson se pasuritë e tij vlejnë 3.7 miliardë dollarë; “Bloomberg News” i vlerëson në rreth 3.2 miliardë dollarë. Trump nuk do të mbetet pa para. Por nëse ekonomia amerikane vazhdon të ketë vështirësi muajt e ardhshëm, këto vlerësime do të testohen.

Dhe shumë nga ato që zotëron Trump nuk janë likuide, gjë që do të thotë se ai mund ta ketë të vështirë t’i shesë pasuritë e tij të patundshme nëse do t’i duhet që të mbledhë fonde. Për shembull, ndër pasuritë më të vlefshme të Trump, janë aksionet e tij në pakicë në dy prona të kontrolluara nga Vornado Realty Trust.

Zërat mbi shitjet për shkak të krizës së tij financire, mund të zvogëlojnë më tej vlerën e pasurisë së tij. Një element tjetër do të dobësojë ndjeshëm aftësinë e Trump për të arritur marrëveshje financiare të mira apo falje të borxheve:largimi nga presidenca.

Në aspektin ligjor, Trump, fëmijët e tij dhe kompanitë e tyre përballen me hetime agresive mbi financat, praktikat e kontabilitetit dhe pagesat e taksave. Zyra e Prokurorit të Rrethit të Manhatan, po e heton Trumpin mbi akuzën e mashtrimit të mundshëm me taksat, dhe falsifikimin e regjistrave të biznesit.

Në këtë hetim, që po shqyrton edhe pagesën e presidentit ndaj 2 grave në këmbim të heshtjes mbi marrëdhëniet seksuale me to, zyra e krimit financiar po kërkon listë-pagesat e taksave në 8 vitet e fundit nga ana e Trump.

Gjithashtu po hetohet nëse Trump, e ka fryrë enkas vlerën e pronave të tij, në mënyrë që të merrte fonde nga huadhënësit dhe investitorët. Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut Leticia Xhejms ka nisur një hetim tjetër, i fokusuar gjithashtu në faktin nëse Organizata Trump dhe familja Trump, kanë manipuluar vlerësimet për të siguruar financime.

Hetimi i Xhejms është një çështje civile, e cila mund të sjellë ndëshkime të rënda financiare kundër Trump por jo dënim me burg (gjithnjë nëse nuk gjen arsye për ta rishikuar atë si çështje penale). Ndërkohë Hetimi i Vans është një çështje penale, dhe nëse ekipi i Trump shpallet fajtor për krime, dënimi me burg është një mundësi reale.

Ekipi i Trump e ka kundështuar fort hetimin e Vans, përfshirë argumentimin para Gjykatës së Lartë të SHBA, se një president në detyrë është i imunizuar nga ndjekjet penale të shtetit. Ndërsa gjykata e hodhi poshtë këtë koncept në një vendim historik gjatë verës që shkoi, ai do të bëhej një argument i diskutueshëm në çdo vend kur Trump të mos jetë më president.

Një Trump pa mbrojtjen ligjore që i jepte Shtëpia e Bardhë, është kryesisht i rrezikuar të paditet dhe penalizohet ashtu si çdo amerikan tjetër. Ndërkohë, largimi nga posti i presidentit, mund të shoqërohet me padi të reja mbi ngacmimet seksuale.

Është e paqartë se sa agresivë do të jenë ndaj Trump zyrtarët e zbatimit të ligjit në administratën Bajden. Ata mund të ringjallin disa nga akuzat e pengimit të drejtësisë, që janë lënë pas qëkur ish-këshilltari Special Robert Myler përfundoi hetimin e tij.

Nga ana tjetër, debati politik që mund të ndezin këto gjyqe, mund ta bindin Bajdenin të jetë më i përmbajtur ndaj paraardhësit të tij. E qartë është se në lojë janë paratë dhe liria e Trumpit. Ndërsa ka humbur zgjedhjet e vitit 2020, Trump do të vazhdojë të reagojë me ashpërsi, dhe në mënyrë të paparashikueshme si një njeri që për 74 vjet, është mësuar t’i shmanget thuajse gjithçkaje. / “Bloomberg” – Bota.al