Pse Perëndimi është i butë ndaj Serbisë?

ina-online
ina-online

28/09/2023

shkruan: Haris Imamoviq

Kur Gjermania e Bismarkut, Austro-Hungaria dhe Perandoria Ruse nënshkruan Memorandumin e Berlinit në 1876, me anë të të cilit ata mbajtën anën e rebelëve të krishterë në Bullgari dhe Bosnjë e Hercegovinë dhe kundër autoriteteve osmane, autoritetet britanike reaguan me zemërim.

Berlini, Vjena dhe Rusia atëkohë ofruan një zgjidhje për krizën, pa u konsultuar me Londrën dhe pa respektuar interesat e saj.

Duke shpjeguar arsyet e pakënaqësisë së tij, kryeministri i atëhershëm britanik Benjamin Disraeli i tha ministrit rus Gorchakov: “Anglia trajtohet këtu sikur të ishim Mali i Zi apo Bosnja”.

Pothuajse një shekull e gjysmë më vonë, i njëjti parim duket se është në fuqi.

Vendimet për Malin e Zi, Bosnjën dhe Kosovën mund të merren pa to, por nuk mund të merren pa fuqitë e mëdha. Ky është thelbi i mesazhit që i dërguari special amerikan Gabriel Escobar i dërgoi kryeministrit të Kosovës Albin Kurti ditë më parë, pasi ky i fundit vuri në dyshim besueshmërinë e Miroslav Lajçakut, negociatorit kryesor evropian për zgjidhjen e mosmarrëveshjes mes Serbisë dhe Kosovës.

Escobar tha se pavarësisht kërkesave të Kurtit, Lajçak do të mbetet në negociata dhe se dialogu do të vazhdojë. “Unë nuk mendoj se,” shtoi ai, “një vend me një milion e gjysmë banorë do të jetë në gjendje të bindë komunitetin transatlantik, i cili numëron 700 milionë njerëz, të ndryshojë taktikat e tij.”

Në fillim të luftës në Ukrainë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e intensifikuan dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, duke mbajtur një qëndrim pro-serb, pra duke u fokusuar në kërkesën e tyre drejtuar autoriteteve të Kosovës për të formuar një bashkësi të komunave serbe.

Shumë ishin të befasuar nga qëndrimi i deklaruar i Uashingtonit dhe i Brukselit, sepse, për shembull, Kosova mori një pozicion pro-ukrainas që në fillim të luftës në Ukrainë, ndërsa Serbia mbeti i vetmi vend në Evropë, së bashku me Bjellorusinë, që nuk e bëri këtë dhe nuk vendosi sanksione ndaj Moskës.

Pozicioni i fortë pro-ukrainas i Prishtinës, si dhe i Sarajevës dhe i Podgoricës, ndoshta e ka ndihmuar Serbinë më shumë se ata vetë.

Gjegjësisht, që nga momenti kur filloi pushtimi rus, opinioni perëndimor theksoi se Ballkani Perëndimor ishte një rajon i cenueshëm, në të cilin, falë ndikimit rus në politikën serbe, mund të transferohej konflikti.

Duke mos dashur të shpenzojnë burimet e tyre të sigurisë (mbi të gjitha NATO) për të frenuar Serbinë, Uashingtoni dhe Brukseli, duke dashur të ruajnë paqen me çdo kusht, vendosën të frenojnë politikisht Prishtinën, Podgoricën dhe Sarajevën.

Është e qartë se Kosova, BeH dhe Mali i Zi ushqenin shpresa joracionale në lidhje me luftën në Ukrainë. Gjegjësisht, elitat sovraniste në këto vende besonin se lufta në Ukrainë ishte një shans për t’u çliruar nga ndikimi serb.

Ata neglizhuan një gjë të rëndësishme, e që ishte fakti se për politikëbërësit perëndimorë, është pothuajse krejtësisht e parëndësishme se çfarë mendojnë këto tre shtete të vogla për pushtimin rus të Ukrainës, sepse asnjëri prej tyre nuk dërgon sasi të konsiderueshme armësh, as mbështetje financiare, si Gjermania apo Holanda.

Kur të merret parasysh gjithçka, e vetmja mënyrë që Ballkani Perëndimor mund të ndikojë në luftën në Ukrainë është të hyjë në luftë edhe këtu, dhe se përveç Ukrainës, SHBA dhe BE duhet të merren me një front tjetër.

Shmangia e skenarit të përmendur u bë, që në ditën e parë të pushtimit rus, një prioritet absolut. Interesi i Rusisë që në fillim ka qenë hapja e një fronti të dytë në Ballkan, në mënyrë që të rëndojë amerikanët dhe evropianët me shqetësime shtesë dhe të lehtësohet në Ukrainë.

Në kontekstin e lartpërmendur, Serbia ka një rol qendror, sepse është e vetmja me fuqi të mjaftueshme ushtarake dhe çështje të hapura me fqinjët e saj (kryesisht me Kosovën) për të shkuar në luftë. Natyrisht, edhe në një situatë kur Perëndimi është i preokupuar me Ukrainën, nuk do të ishte e mençur që Serbia të fillonte një luftë, por në kohë krizash të mëdha, autoritetet shpesh marrin hapa që në fund nuk rezultojnë të mençura. Kjo është arsyeja pse amerikanët dhe evropianët nuk donin t’i linin asgjë fatit.

Që nga fillimi i krizës ukrainase, diplomatët amerikanë dhe evropianë kanë bërë lëshime ndaj Serbisë, me qëllim që ta qetësojnë atë dhe ta bindin se ajo mund të ndjekë interesat e saj në rajon në mënyrë paqësore dhe me mbështetjen e Perëndimit. Sigurisht, Serbisë nuk iu ofrua gjithçka që donte (aneksimi i veriut të Kosovës, Republika Srpska dhe Mali i Zi), gjë që gjithashtu do të kërcënonte paqen. Në vend të kësaj, iu ofrua të kishte ndikim më të madh në vendet fqinje përmes mjeteve paqësore.

Në Mal të Zi dhe BeH, me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, Gjukanoviq, Izetbegoviq dhe Komshiq u hoqën nga pushteti, politikat e të cilëve ishin një shenjë e kundërshtimit të fortë ndaj aspiratave të Beogradit për të dominuar rajonin.

Për më tepër, pas zgjedhjeve të fundit, siç dëshmoi ministri i Mbrojtjes i BeH-së, Zukan Helez, ekzistonte një opsion për të formuar Këshillin e Ministrave me opozitën në Republikën Srpska, por udhëheqja e SDP-së zgjodhi të formonte një koalicion me Dodikun, pasi kjo e fundit “i premtoi komunitetit ndërkombëtar se do të bashkëpunojnë”.

Në kontekstin e lartpërmendur, duhet përkujtuar se Aleksandar Vuçiq ka theksuar se ka marrë një premtim nga përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare se prona shtetërore do t’i takojë Republikës Srpska.

Së fundi, përveç faktit që SHBA dhe BE vazhdojnë të bëjnë presion mbi autoritetet e Kosovës për të formuar Asociacionin e Komunave Serbe, Escobar në një moment e kërcënoi hapur Kurtin se do të shkarkohej dhe do të zëvendësohej me dikë më bashkëpunues.

Nëse në kontekstin e lartpërmendur shikojmë sulmin e një grupi paramilitar ndaj policisë së Kosovës në Banjskë, atëherë shumëçka bëhet më e qartë.

Policia e Kosovës ka njoftuar se tek anëtarët e arrestuar të Grupit Banjska ka gjetur dokumente që i lidhin me Milan Radoiçiqin, njeriun kyç të Vuçiqit në veri të Kosovës. Vuçiq ishte shumë i interesuar për armatosjen e këtij dhe grupeve të ngjashme në veri, sepse Serbia mund të llogarisë në mbështetjen e Perëndimit, vetëm përderisa ajo përfaqëson një kërcënim të besueshëm për paqen dhe vendet fqinje.

Në këtë kuptim, mjaft indikative është deklarata e presidentit të Serbisë, në të cilën legjitimon rebelimin e Grupit Banjska dhe zbulon se rreziku i luftës është argumenti i tij kryesor në negociatat: “Megjithëse kam paralajmëruar çdo ditë, si në Bruksel dhe në Nju Jork, që e gjithë kjo mund të ndodhte, pak kush dëgjonte dhe donin të dëgjonin. Ishin serbët nga Kosova dhe Metohia që u rebeluan, duke mos dashur të vuajnë më terrorin e Kurtit dhe nuk janë ata të ardhur nga Serbia qendrore”.

Fakti që forcat policore të Kosovës pa ndihmën e KFOR-it arritën të eliminojnë apo arrestojnë një pjesë të grupit të Banjskës (por jo të gjithë) paraqet fitore relative për Kurtin, d.m.th poshtërim për Vuçiqin, i cili vendimin e tij duke mos u hakmarrë me forcë e arsyeton me faktin se “Kurti po përpiqet ta fusë Serbinë në konflikt me NATO-n”.

Duke pasur parasysh se ai është nën presionin e së djathtës proruse, Vuçiqit mund t’i duhet ende të gjejë një mënyrë për të përdorur forcën kundër strukturave të Kosovës dhe për të rikthyer besueshmërinë e tij, të cilën ai e sugjeroi në fjalët përmbyllëse të prezantimit të tij: “E jona është të shterojmë gjithçka që mundemi që të mos ketë gjakderdhje më të madhe. Varet nga ne që të përpiqemi të ruajmë paqen, por nëse dikush mendon se… (pauzë më e gjatë.) Nuk ka rëndësi, atëherë, atëherë, kur të marrim një vendim, do t’ju njoftojmë.”

Nëse Prishtina, Sarajeva dhe Podgorica ishin të bindur se lufta në Ukrainë ishte shansi i tyre për të realizuar interesat e tyre, tani është fare e qartë se lufta në Ukrainë është një shans për Serbinë dhe politikën serbe në rajon në përgjithësi.

Boshnjakët, shqiptarët dhe malazezët janë në mbrojtje politike, kurse serbët në ofensivë.

Nuk ka dyshim se Vuçiq, nëpërmjet Radoiçiqit në veri të Kosovës dhe Dodikut në Bosnje-Hercegovinë, do të vazhdojë të shprehë kërcënime të besueshme për paqen, në mënyrë që ai të “shpëtojë paqen” në mënyrën e Millosheviqit në negociatat në Bruksel dhe Nju Jork, duke bërë kërkesa para diplomatëve perëndimorë dhe ato t’ua imponoj krejtësisht strukturave qeverisëse në rajon (në të cilat nuk bën pjesë vetëm Kurti, sepse ai me mjeshtëri po kombinon kundërshtimin ndaj komunitetit ndërkombëtar dhe bashkëpunimin me të).

Puna e diplomatëve si Escobar dhe Lajçak është të përdorin ndikimin amerikano-evropian në Sarajevë, Podgoricë dhe Prishtinë për të siguruar paqen, pa përdorur burimet e aleancës së NATO-s dhe pa rrezikuar sigurinë e ushtarëve të KFOR-it, veçanërisht pasi që gjatë protestave në veri dy ushtarëve të KFOR-it iu amputuan këmbët.

Ashtu si një shekull e gjysmë më parë, diplomacia perëndimore është e ndarë mes dy aspiratave konfliktuale, gjë që ndoshta mund të ilustrohet më së miri nga dy vlerësimet në fillim të Bismarkut të lartpërmendur.

Sipas tij, Ballkani “nuk ia vlen as sa kockat e një grenadieri pomeranez” (ushtar këmbësor hedhës i granatave në rajonin e Pomeranisë në veri të Gjermanisë në kohën e Bismarkut), por në të njëjtën kohë ai ishte i vetëdijshëm se “një ditë mund të shpërthejë një luftë e madhe në Evropë për shkak të ndonjë marrëzie në Ballkan”.(INA)

ME TE LEXUARA

LEXO MË SHUMË

takimi lidereve lideret

Partitë merren vesh për mbajtjen e zgjedhjeve, ja datat?

Krenar Lloga

Lloga: Dënimi me vdekje është i ndaluar tek ne, por mendoj se do të ishte shpëtim për ata monstra

derivate nafta dizeli benzin

Çmime të reja të derivateve të naftës nga mesnata në Maqedoni

OBSH

OBSH: Sëmundjet në Gaza mund të jenë edhe më vdekjeprurëse se sulmet ajrore

takimi lidereve lideret

Kasami, Mexhiti dhe Gashi braktisën takimin e liderëve, kërkojnë zgjedhje të parakohshme

ushtria forcat e armatosura shqiperi

111 vjet nga formimi i Forcave të Armatosura të Shqipërisë

vrasesit vanja palevski

Kush janë personat e ndaluar për vrasjen e dyfishtë në Maqedoni, njëri ka parti proruse dhe ka qëndrime ekstremiste

Oliver spasovski

Spasovski flet për vrasjen e 14 vjeçares nga Shkupi dhe 74 vjeçarit nga Velesi

vrasesit vanja palevski

Tre persona në paraburgim për vrasjen dhe rrëmbimin e Vanja Gjorçevska

INFO

NA NDIQ