shkruan: Bahri Cani
Të gjitha partitë, pozitë dhe opozitë, minoritete dhe serbë, ndoshta edhe mund të kuptohen, ndonëse me siguri jo edhe të pëlqehen dhe të arsyetohen. Por nuk mund të kuptohet sjellja e tre deputetëve të Nismës, të prirë nga Fatmir Limaj. Pse po abstenojnë?
Sjellja e Vetëvendosjes ndoshta edhe mund të kuptohet, sepse nuk do të heqë dorë nga gruaja më e votuar në zgjedhje (Albulena Haxhiu) dhe nuk do t’i nënshtrohet kërkesave të partive të tjera. Sjellja e partive deri tani në opozitë PDK, LDK dhe AAK po ashtu mund të kuptohet ndoshta, sipas motos nëse ata nuk i kanë numrat, atëherë pse t’ua bëjmë ne votat kur VV nuk po do kurfarë kompromisi?!
Të kuptueshme janë madje edhe votat kundër të deputetëve Duda Balje dhe Adem Hoxha, sepse janë të pakënaqur dhe të dëshpëruar. Ata i akuzuan së pari si njerëz të Radoiçiqit dhe nuk ua plotësuan kërkesat për ministri, poste e komuna.
E kuptueshme është madje, madje edhe sjellja e Listës Serbe, sepse ajo sillet mbase sipas motos – bone Zot llugë! Tekefundit, votat e tyre nuk po i do as VV dhe aleatët e saj.
Po them, këto qëndrime ndoshta mund të kuptohen, por me siguri që nuk janë të arsyeshme të gjitha.
Por ate që nuk po kuptoj është, pse Nisma nuk po e voton Albulena Haxhiun? Cili është kalkulimi i Nismës? A nuk tha vetë Fatmir Limaj se është i gatshëm të bashkëpunojë me të gjithë, pra edhe me zotin Kurti, “për hirë të interesave nacionale”. Apo “interesat nacionale” akoma nuk janë përputhur me interesat personale? Apo kanë edhe ata diçka kundër Albulena Haxhiut? Apo po pret se mos eveeeentualisht LDK, PDK dhe AAK po i bëjnë numrat për qeveri dhe t’u bashkangjitet atyre në “mbrojtjen e interesave nacionale”.
Të kuptohemi edhe një herë, po them që unë ndoshta i kuptoj, por nuk i arsyetoj sjelljet e asnjërës prej këtyre partive, sepse populli i ka zgjedhur ata të gjejnë zgjidhje dhe jo të bllokojnë Kuvendin. Kështu ndodh edhe në Gjermani, ku partitë e kritikojnë njëra-tjetrën gjatë fushatës dhe në fund thonë – sovrani ka vendosur kështu, ndaj hajde të gjejmë zgjidhje.
Personalisht mendoj se përkundër “hajvanatit”, “mizave” dhe “tradhtarëve”, kjo bllokadë mund të tejkalohet shumë shpejt, po të kishte pak vullnet dhe arsye, si tek VV ashtu edhe tek partitë e tjera.
Por nuk po e kuptoj këtë abstenimin e Nismës. Limaj po thotë se është e drejtë e tij të abstenojë. Natyrisht që është e drejtë e tij, por pse po abstenon?
Do të ishte mirë nëse vetë zoti Limaj e lexon këtë shkrim dhe na përgjigjet. Pa të keq, pa ofendime, thjesht na tregoni pse, sepse goxha shumë njerëz ju kanë dhënë votën edhe juve dhe kanë të drejtë ta dinë?