Pse presidenti Begaj nuk shkoi në Athinë?!

ina-online
ina-online

23 Gusht, 2023

shkruan Enver Bytyçi

Të hënën e shkuar në mbrëmje në Athinë u takuan në një darkë informale kryetarët e shteteve ose kryeministrat e vendeve të Europës Juglindore. Në këtë event ishin të pranishëm edhe presidentja e Komisionit Europian dhe presidenti i KE-së, si dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Mikpritës në këtë darkë ishte kryeministri i Greqisë, Micotaqis. Kosovën e përfaqësoi kryeministri Albin Kurti, i cili u takua me zotin Micotaqis, si dhe me pjesmarrës të tjerë në atë darkë, përfshirë presidentin Zelensky. Por nuk ishte i pranishëm kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Arsyeja e vetme ishte se ai nuk kishte një ftesë nga organizatorët e Athinës. Siç edhe dihet, shkaku i mungesës së kësaj ftese lidhet me arrestimin dhe mbajtjen nën arrest të kryetarit të Bashkisë së Himarës, Fred Beleri.

Arsyet pse Beleri është në burg dihen. Eshtë vullneti i kryeministrit të Shqipërisë që ai të mos kurorëzohet si kryetar bashkie. Janë interesat e tij në Himarë që e çuan zotin Rama te kurthi i arrestimit të Belerit. Pavrësisht se një ditë pas darkës Rama sërishmi tha se çeshtja Beleri nuk është në dorën e tij, por të drejtësisë. Pavarësisht kësaj, është pak e pabesueshme se Beleri e ka detyruar kryeministrin grek të refuzojë pjesmarrjen e kryeministrit të Shqipërisë në takimin informal të Athinës. Arsyeja pse qeveria greke i çoi marrëdhëniet me zotin Rama deri në këtë pike do të mësohet më vonë.

Disa e lidhin me censusin që do të zhvillohet së shpejti. Disa me plane e projekte shoviniste të së shkuarës. Ka nga ata që thonë se shkak është një marrëveshje milionëshe midis qeverisë shqiptare dhe çiftit Blair për çeshtjen e Detit Jon. Askush nuk bën dot kasandrën për këtë. Duhet pritur dhe duhet parë. Por ajo që dua të trajtoj ka të bëjë me disa kritika dhe madje sulme të padenja që i bëhen presidentit të Republikës së Shqipërisë, zotit Bajram Begaj, pse ai nuk shkoi në “Darkën e Gabuar” për të të Athinës. Kryeministri grek nuk ftoi homologun e tij, kryeministrin e Shqipërisë, por ftoi presidentin e Shqipërisë, zotin Begaj.

Ai e di se Shqipëria është Republikë Parlamentare dhe se duhej ftuar në atë event homologu i tij. Por zgjodhi të ftojë presidentin. Ndërkohë vetë Greqia është gjithashtu Republikë Parlamentare. Që do të thotë se presidenti i Shqipërisë ftohet e mund të ftohet vetëm nga presidenti i Greqisë. Pra, kryeministri grek nuk kishte tagër ta bënte diçka të tillë. Megjithatë analistë, gazetarë e politikanë të opozitës e trajtuan çeshtjen shumë ngushtë. Thanë se presidenti duhej të shkonte në Darkën e Athinës. Thanë gjithashtu se “Nuk e lejoi Rama të shkonte”! Këtë nuk e di askush, por edhe nëse kjo është e vërtetë, refuzimi i ftesës nga ana e zotit Begaj është një gjest i lavdërueshëm.

Nëse ai do të shkonte në këtë event, atëherë të gjitha mediet e Athinës do të shkruanin për krisjen e marrëdhënieve midis presidentit dhe kryeministrit dhe jo vetëm midis Greqisë dhe Shqipërisë. Presidenti do të konsiderohej si pro-grek, ndërsa Rama si anti-grek, kur në fakt është e kundërta. Kësisoj kritikat dhe sulmet kundër tij në rastin e refuzimit që ai i bëri ftesës së Micotaqisit janë të pavend. Republika Parlamentare e Shqipërisë përfaqësohet nga kryeministri në marrëdhëniet ndërkombëtare. Kjo është arsyeja pse askush nuk e ka kontestuar Ramën në këtë përfaqësim në samitet ndërkombëtare. Unë ndaj mendimin se përfaqësimi i zotit Rama më shumë i ka dëmtuar interesat e shqiptarëve në rajon, (sidomos të Kosovës) sesa i ka ndihëmuar ato. Por kjo është tjtër histori.

Për këtë arsye Micotaqis duhej të ftonte kryeministrin e Shqipërisë për të marrë pjesë në darkën joformale të Athinës me rastin e 20 vjetorit të samitit të Selanikut. Megjithatë kryeministri grek preferoi të ftojë presidentin e Republikës. Zoti Begaj e refuzoi në fakt me elegancë ftesën, duke thënë se kishte një aktivitet të rëndësishëm në axhendën e tij. Në të vërtetë, edhe sikur të mos kishte axhendë tjetër, presidenti nuk mund të shkonte në këtë mbrëmje formale në Athinë, jo vetëm për atë çfarë theksova më lart, por edhe për arsye të tjera.

Së pari, Presidenti i Republikës është kryetar i shtetit shqiptar dhe jo shef i ekzekutivit. Nëse do shkonte në Athinë do të konsiderohej si zëvendës i kryeministrit. Me kushtetutë politikën e jashtme e ekzekuton qeveria, ndërkohë që presidenti dhe parlamenti kanë tagrin ta kontrollojnë dhe miratojnë ose jo vendimmarrjen e ekzekutivit.

Pra, zoti Begaj ruajti autoritetin e shtetit dhe të presidencës. Së dyti, arsyeja e mungesës së ftesës, së paku e njohur në publik, është burgosja e kryetarit të Bashkisë së Himarës, Fredi Belerit. Nuk i takon presidentit të Shqipërisë të legjitimojë akuzat greke kundër kryeministrit të vendit të tij sa i përket çeshtjes Beleri. Nëse presidenti ka rezervat e tij, ai mund të mbajë qëndrim në mbrojtje ose jo të të drejtave apo të drejtës qytetare të Belerit, por nuk mund të marrë anën greke në konfliktin midis Ramës dhe Athinës. Në këto kushte veprimi i tij është i ekuilibruar, korrekt dhe parimor. Kritikat në këtë rast nuk janë aspak të shëndetëshme!

ME TE LEXUARA

LEXO MË SHUMË

spartak

Ngjela: Të mbyllen me ligj televizionet që ftojnë antishqiptarë në studio!

taulant balla

Ligji për shtetësinë, Balla: Qytetarët e Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut të mos testohen

fatmir limani

Limani: Sot, Drini hyn te pasuria e katragjyshit

arsim zekolli2

Albini nuk është çështje etnike, por etike

Vullnet Ameti

Një prelud për paqen…

MUHAMERI

Kush do të votoj në zgjedhjet e ardhshme?

edi rama

“Ndaloni luftën dhe Zelensky s’do të flasë në OKB”, mediat e huaja jehonë deklaratës së Ramës ndaj Rusisë

Rama Zelenski

Zelenski ngre në qiell Edi Ramën: I tregove botës, si duhet të trajtohet Rusia!

IMG_5152

Rama i nxjerr kartën e OKB-së delegacionit rus: Sado të përpiqeni, Kosova është e pavarur

INFO

NA NDIQ