Skuadra e PSG duket se ka hequr dorë nga blerja e sulmuesit nigerian Victor Osimhen, për të cilin skuadra e Napoli kërkon gati 200 milionë euro.
Në rast se largohet Kylian Mbappe, në krye të listës së sulmuesve të kërkuar nga trajneri Luis Enrique është serbi Dusan Vlahovic, që luan me Juventus.
Skuadra italiane është shprehur e gatshme të negociojë për shitjen e Vlahovic, por ka një kusht. Bardhezinjtë kërkojnë 85-90 milionë euro për sulmuesin 23-vjeçar, që sezonin e fundit nuk dha atë që pritej me Juventus. Sipas “Sky Sport”, PSG ka nisur kontaktet me drejtuesit e Juventus për të gjetur një zgjiedhje për këtë ngërç, duke ofruar 70 milionë euro plus bonuse të ndryshme.
Bardhezinjtë nuk pranojnë një shifër të tillë dhe i kanë kërkuar PSG të nxitojë, në mënyrë që edhe ata të veprojnë më pas në merkato. Juventus mendon se me paratë që do të arkëtojë nga shitja e Vlahovic do të sigurojë sulmuesin italian Gianluca Scamacca, që luan me West Ham.