Të dielën që kaloi, Maqedonia e Veriut ishte në qendër të vëmendjes me mbajtjen e zgjedhjeve lokale, të cilat ishin një test i rëndësishëm për stabilitetin politik dhe balancën e pushtetit në vend.
Këto zgjedhje nuk janë vetëm një proces formal, por edhe një tregues i ndikimit të partive politike kryesore dhe i lëvizjeve të reja në skenën politike të Maqedonisë së Veriut.
Partia në pushtet, VMRO-DPMNE, shpalli fitore bindëse pas rundit të parë të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, më 19 tetor.
LSDM do të ketë kryetarë komunash në Kriva Pallankë, Bogdanc dhe Krivogashtan.
Kurse, në bllokun politik shqiptar, kandidati i VLEN, Izet Mexhiti, fitoi bindshëm në komunën kyç – Çair, ndërsa Bilal Kasami në Tetovë. Në rundin e parë, koalicioni fitoi edhe në katër komuna të tjera. Derisa, për Mexhitin, ky do të jetë mandati i tij i katërt si kryetar komune, dhe ai do të duhet të lërë postin aktual të ministrit pasi mundi ish-ministrin e BDI-së, Bujar Osmanin, i cili ia uroi fitoren.
Mehazi: Aq të pakënaqur janë qytetarët me komandantin Ali Ahmetin saqë i humbi edhe bastionet e komunave
Për “Bota sot”, profesori Sulejman Mehazi komenton se koalicioni i dobët i AKI-së në Maqedoninë e Veriut u përball me një humbje të parashikuar nga VLEN-i, pasi gjatë fushatës u fokusua më shumë te sulmet personale dhe kërcënimet sesa te programet dhe nevojat e qytetarëve.
“Rezultati i zgjedhjeve lokale në RMV është ditur që para se të vijë dita e votimit, dihej se koalicioni i dobët i AKI-së në krye me Ali Ahmetin do marrin përgjigjen e debaklit politikë përballë VLEN-it e cila që në start të fushatës paralajmëronte fitoren e saj.
Që në hapjen e fushatës së AKI-së në sallën “Boris Trajkovski” në Shkup fjalori vulgar jo politikë e nënçmues i “zagarëve, çakejve, lepujve, servilëve” të Ali Ahmetit ndaj krerëve të koalicionit në pushtet, VLEN-it ia hapi rrugën e fitores. Jo vetëm kaq, por krerët e AKI-së nuk merreshin me premtimet, programet e nevojat e qytetarëve në komunat shqiptare, por u larguan aq shumë nga votuesit duke kritikuar e kërcënuar me: gjak, pushkë e luftë” kryeministrin e RMV-së, Kristijan Mickoskin, kështu që verbëria lakmuese e AKI-së ndaj pushtetit i çoi që Zgjedhjet Lokale i kthyen në ato parlamentare”, thotë ai.
Pse humbi AKI-ja përballë VLEN-it?
Tutje, thotë se AKI-ja humbi përballë VLEN-it për shkak të udhëheqjes së dobët të Ali Ahmetit, koalicioneve me politikanë të pafuqishëm, korrupsionit të brendshëm dhe mungesës së lidhjes me qytetarët.
Ndërkohë, thekson se VLEN-i kishte koalicion të fortë dhe mbështetje maqedonase, ndërsa shqiptarët votuan për ndryshim dhe për lidhje me liderë si Albin Kurti, duke refuzuar politikën e korruptuar të AKI-së.
“Për shkak se Ali Ahmeti para qytetarëve merrj me vetveten duke iu lavdëruar, kryeministrit Mickoski, se gjatë 23 viteve në pushtet ka përcjellur e larguar me dhjetëra kryeministra maqedonas, s’e është patriot i UÇK-së, s’e ai është që mbron Marrëveshjen e Ohrit dhe gjuhën shqipe, gjersa këta të VLEN-it janë servilë, zagarë të Mickoskit, se qytetarët nuk e dinë se 10 vjet radhazi vetë ai ka qenë ‘zagarë” i ish-kryeministrit Nikolla Gruevskit që çfarë donte bënte me qytetarët shqiptarë.
Humbi për shkak se Ahmeti bëri koalicion me politikanët më të dobët, Selën dhe Taravarin, që s’kishin forcë t’i ndihmojnë me vota sepse kanë humbur besimin para qytetarëve, jo vetëm kaq, por këta dy politikanë të dështuar, Sela dhe Taravaei, gjallërojnë me votat e Ali Ahmetit.
– Humbi për shkak se VLEN-i kishte koalicionin e fortë të votave maqedonase, Mickoskin, jo Stelë-Taravarkën e Ali Ahmetit pa kokë vote.
– Humbi se Ali Ahmeti politikisht u vëllazërua me Edi Ramën e Vuçiqit e jo me Albin Kurtin e Kosovës puro shqiptare.
Humbi se shumica e partisë së Ali Ahmetit janë në Listën e Zezë të SHBA-ve.
Për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kurrë nuk kanl qenë më të kënaqshme sesa Zgjedhjet Lokale të 19 nëntorit”, deklaron Mehazi.
Bilalli: Realisht ky është një puç zgjedhor
Njohësi i politikës nga RMV, Mersel Bilalli vlerëson se rezultatet për kryetarët e komunave në RMV janë pasojë e një “puçi zgjedhor” nga VMRO, e cila përdori votat e saj për të orientuar fituesit shqiptarë të këshillave drejt kandidatëve që i shërbejnë interesave të saj, duke ruajtur kontrollin mbi komunat shqiptare dhe duke shkaktuar pakënaqësi te votuesit opozitarë shqiptarë.
FOTO GALERI
“Rezultati i zgjedhjeve është ai që pritej sa i përket Këshillave (te ju në Kosovë kuvendeve), por sa u përket kryetarëve të komunave, rezultati është pjellë e puçit zgjedhor që bëri partia më nacionaliste VMRO, e cila në komunat shqiptare e vetëdijshme se votat që ka ajo parti për kryetar komune në komunat shqiptare nuk i shërbejnë për asgjë sepse nuk mund ta fitoj kryetarin e komunës, ajo ato vota i orienton në partitë shqiptare që janë të dëgjueshme për të dhe të njëjtën e bënë fituese.
Realisht ky është një puç zgjedhor, i cili vendos fituesin së paku për kryetar komune në komunën përkatëse. Kjo rezulton me atë që fituesi shqiptar i këshillave nëpër komuna, të jenë humbës sa u përket kryetarëve të komunave. Pra, vmro-izohen komunat shqiptare. Prej këtu, patron i tyre vazhdon të mbetet VMRO, sepse votat diferencë që ajo ka siguruar në fakt janë vota të fitimit. Kjo krijon pakënaqësi të madhe ndër votuesit opozitar shqiptar sepse u shkelet mbi vullnetin e tyre”, përmbyll ai për “Bota sot”.