Mungesë punëtorësh si rrjedhojë e ikjes së madhe jashtë, ulje e natalitetit, varfëri dhe paga e pensione të ulëta… janë disa nga veçoritë e ekonomive së rajonit, por edhe Maqedonisë së Veriut. Nga njëra anë Maqedonia po plaket, ndërsa nga ana tjetër – disa vite me radhë punëdhënësit ankohen se nuk mund të gjejnë punëtorë në hoteleri, ndërtimtari dhe më shumë degë tjera ekonomike. Për më tepër, të dhënat e Agjencisë europiane të statistikave – EUROSTAT, zbardhin se në vitin 2022, në Maqedoni, popullsia mbi 65 vjeç është 17.1 për qind, ndërsa 10 vjet më parë, 11.8 për qind e popullsisë ishte mbi 65 vjeç. Pensionet e ulëta janë motivi më i zakonshëm i pensionistëve për të kërkuar punë të lehta.
Pensionistët punojnë për të fituar një qindarkë shtesë dhe thonë se e bëjnë këtë sepse ju nevojiten të holla dhe jo sepse duan. Ata pranojnë se ndihen të lodhur, nuk kanë më energjinë që kishin kur ishin më të ri, por përpiqen të bëjnë disa punë që do t’u sjell të ardhura shtesë. Disa qepin, të tjerë shesin në treg, punojnë në dyqane, vozisin furgonë transportues për kompanitë e huaja ose prodhojnë vetë ushqim… “Kush dëshiron të punojë në moshën 65 apo 70 vjeçare? Punojmë, sepse e kemi patjetër. Kjo është një punë e mundimshme të prodhosh perime në vapë dhe pastaj ti shesin ato në tezga. Me kalimin e kohës, çdo ditë e punës bëhet më e vështirë”, shpjegon B.R. pensionist në tregun e gjelbërt në Shkup.
Kryetarja e Lidhjes së Shoqatave të Pensionistëve, Stanka Trajkova, thekson se realiteti në Maqedoni është shkatërrues, sepse popullata e Maqedonisë po plaket dhe të rinjtë po emigrojnë. Sipas saj, për të zëvendësuar fuqinë punëtore, gjithnjë e më shumë kompani vendase po përpiqen të interesojnë pensionistët e aftë për punësimin e tyre. Disa zinxhirë të mëdhenj të shitjes me pakicë, disa transportues dhe agjenci sigurie kanë filluar të ofrojnë pozicione që janë të përshtatshme si për moshën, ashtu edhe për gjendjen shëndetësore dhe psikofizike të pensionistëve. “Fjala është për kompani tregtare që na kanë kontaktuar dhe kemi diskutuar me ta që kur punësojnë pensionistët, të vendosen në të njëjtin pozicion ligjor si punonjësit e tjerë dhe t’u jepen detyra pune që do të përputhen me aftësitë e tyre psikofizike. Bëhet fjalë për punësimin e pensionistëve me kontratë pune”, thotë Trajkova.
Sipas rregullave të Maqedonisë për punë, pas daljes në pension – një pensionist nëse është i aftë për punë dhe dëshiron të zgjasë jetën e tij të punës, mund të lidhë kontratë në vepër ose me kontratë autori. Këto janë marrëveshje që nuk cenojnë pagesën e pensioneve. “Sa i përket Fondit, nuk ka rëndësi nëse pensionisti ka të ardhura shtesë pas fitimit të së drejtës për pension, problemi i vetëm është nëse pensionisti ripunësohet (dhe është i siguruar), me ç’rast ndalohet pagesa e pensionit në përputhje me Neni 148 i Ligjit për Sigurime Pensionale dhe të njëjtën e vendos pas përfundimit të sigurimit”, thonë nga Fondi Pensional.
Pozicioni i komunitetit të biznesit, megjithatë, është se nevojitet një reformë që do t’i lejojë punëtorit të punojë përtej kufirit të moshës së lejuar nëse dëshiron. Sipas Mile Boshkov nga Konfederata e Punëdhënësve, ky moment është vendimtar për të bërë fleksibël tregun e punës, duke pasur parasysh diskutimet aktuale për Ligjin për Marrëdhëniet e Punës ndërmjet Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, Konfederatës së Biznesit, Organizatës së Punëdhënësve, Konfederatës së Lirë të Sindikatave.
“Mund të rregullohet ashtu siç është në disa sektorë dhe industri në vendin tonë, duhet bërë një zgjedhje e lirë e punëtorit që ndjen se mund të punojë dhe të kontribuojë. Ata që janë të lodhur në aktivitete intensive të punës, të mund të lejohen të dalin në pension më herët se data e planifikuar. Megjithatë, ka njerëz që ndjehen të gatshëm dhe të aftë për të punuar, sidomos nëse munden, përveç pensionit që kanë si të drejtë të fituar, të marrin të ardhura shtesë dhe ta mbushin buxhetin me të gjitha kontributet sociale dhe taksat personale”, thotë Boshkov.
Ai ka përmendur se mungesa e punëtorëve në vend për shkak të largimit të shumë qytetarëve jashtë vendit ka pasoja të rënda për biznesin dhe ekonominë. Industritë më të prekura, tregon Boshkov, janë prodhimtaria, përpunimi i tekstilit dhe metaleve, si dhe hotelieria dhe ndërtimi.
Në ndërkohë, Gjermania është një nga destinacionet më tërheqëse, ku çdo vit largohen nga 2000 deri në 3500 persona. Shumë qytetarë nisen edhe për në Itali, Zvicër, Qipro dhe Angli, përfshirë ata që shkojnë për punë sezonale në sektorin e bujqësisë.
Në ndërkohë, trende që punojnë edhe pensionistët vërehen edhe në shtetet e tjera të rajonit. Në vitin 2019, pensionistët kroat me pension pleqërie u lejuan të punonin me kohë të pjesshme duke ruajtur shumën e plotë të pensionit. Dy vite më vonë, kjo u mundësua edhe për përfituesit e pensioneve familjare. Hapi tjetër do të jetë lejimi i pensionistëve të punojnë me orar të plotë – tetë orë, por me gjysmën e shumës së pensionit të paguar. Kjo do të përfshihet në ligjin e ri të sigurimeve pensionale. Në Kroaci, numri i pensionistëve që punojnë zyrtarisht dhe me gjysmë orari me pensionin e tyre rritej muaj pas muaji. Numri u rrit jo vetëm gjatë sezonit turistik, por edhe pas tij. Shifrat tregojnë se nga 1.2 milion pensionistë punojnë shumë pak, së paku sipas të dhënave zyrtare. Në muajin tetor, në Kroaci, numri i përfituesve të pensioneve që punojnë është 33 mijë. Ato janë angazhuar në sektorë të lidhur ngushtë me turizmin si akomodimi dhe përgatitja dhe shërbimi i ushqimit, por edhe në shëndetësi arsim, tregti, transport, ndërtim dhe bujqësia, industrinë e prodhimit, shërbimet administrative etj
Vetëm 13 për qind e punonjësve vazhduan të punojnë pas marrjes së pensionit të parë të pleqërisë, sipas Anketës së Fuqisë Punëtore të BE-së të EUROSTAT-it për vitin 2024. Në mesin e atyre që vazhduan të punojnë, rreth gjysma vazhduan si më parë, ndërsa për gjysmën tjetër pati ndryshime, si ndryshimi i vendit të punës, duke punuar më pak orë ose duke punuar në një punë të dytë duke lënë punën e parë.
Pjesa më e madhe e njerëzve që vazhduan të punojnë u regjistrua në vendet baltike, Estoni (54.9 për qind ), Letoni (44.2 për qind ) dhe Lituani (43.7 për qind ), ndërsa përqindja më e ulët u regjistrua në Rumani (1.7 për qind dhe Spanjë (4.9 për qind ).
“Mund të duket si një numër i ulët, por mosha e daljes në pension është rritur me disa vjet në shumë vende të BE”, thotë Jelle Loesbroek, një studiuese e tregut të punës në Institutin Demografik Ndërdisiplinor Holandez (Nidi). Danimarka, Holanda dhe Italia kanë përqindjen më të lartë të njerëzve që vazhduan të punojnë sepse u pëlqeu. Nga ana tjetër, nevoja financiare ishte arsyeja kryesore për vazhdimin e punës në Qipro, Rumani dhe Bullgari. “Vendet si Luksemburgu dhe Holanda kanë pensione publike shumë bujare, madje duke marrë parasysh koston e lartë të jetesës, ndërsa vendet në Evropën Lindore ose Jugore përgjithësisht i bazojnë sistemet e tyre të pensioneve shumë në pagat që kishin njerëzit”, tha Losbrouck. (koha.mk)