Punëdhënësi shqiptar nga Tetova, një menaxhues i sukseshëm i kompanisë së tij

0
Një darkë e kompanisë së Naser Xheladinit (djathtas)

Punëdhënësi shqiptar nga Tetova, një menaxhues i sukseshëm i kompanisë së tij
E takuam në Visp të Zvicrës, megjithëse vendbanimi i tij ishte në Brig. Si gjithmonë modest, tepër vital për moshën e tij 58-vjeçare, i qetë dhe i matur. Natyrisht, një veçori e një personi që mbi shpatullat e tij mban përgjegjësinë e 13 të punësuarve në zejen e armaturës, një profesion shumë i rëndë që nuk do ta ushtronte çdokush me dëshirë.
Naser Xheladini nga rrethina e Tetovës, filloi rrëfimin emocional të katrahurës së tij deri në momentin që u vendos në Zvicër. Ishin vitet e vështira për popullin shqiptar në trojet e Maqedonisë së Veriut. I ati i tij ishte një figurë e njohur politike në rrethinë, prandaj edhe ngacmohej nga ish politikanët e regjimit komunist, duke e detyruar të vetëmbrohej me kundërdhunë.

Për t`iu mënjanuar pasojave negative, ai emigron në Belgjikë për disa vite, derisa të qetësohej situata. Diku nga mesi i dekadës së nëntë të shekullit të kaluar, ndërron jetë, ndërsa e gjithë barra bie mbi dy djemtë e tij. Pas përfundimit të shërbimit ushtarak, Naseri i filloi studimet e shkencave juridike në Prishtinë, derisa e arriti kushtin për vitin e tretë. Pas kësaj, ai shkoi në Zvicër dhe punoi me sukses për disa sezona, ndërsa shefi zviceran nuk mund ta paramendonte punën pa ndihmën e tij. Mirëpo, nostalgjia ndaj atdheut e bëri te veten dhe vendosi të kthehej në vendlindjen e tij.

Situata ekonomike në Maqedoninë e Veriut po përkeqësohej gjithnjë e më shumë, papunësi e madhe, situatë e brishtë politike, rroga të dobëta, edhe pse familja e tij kishte kushte të mjaftueshme për një jetë të rehatshme.

“U përhapën muhabetet se shumica e bashkatdhetarëve tanë po paguajnë shuma të majme për ta rregulluar dokumentacionin, dikush përmendte shifra prej rreth 30 mijë eurosh vetëm sa për ta rregulluar vizën përmes martesave fiktive. Këto thashetheme ndikuan që unë të mendoj pak më ndryshe: I kisha letrat dhe u ktheva vullnetarisht në vendlindje. Do ta provoj edhe për një kohë të shkurtër të punoj, ndoshta do të vinë ditë më të mira në Maqedoninë e Veriut”, shpjegon Naseri enkas për “Shtegu.com”.

Ai u kthye aty ku kishte një reputacion të madh dhe vazhdoi me punë, ndërsa shefi i gëzuar pa masë, e angazhonte në lloj-lloj kantiere, ndër të cilët edhe në pushimoren më të njohur në Zvicër, Saas Fe.

Por, Naseri vendosi të krijojë kompaninë e tij në këtë profesion. Me hapa të vegjël, por të sigurt, ai gjithnjë e më shumë po fitonte besimin e punëdhënësve, duke arritur të punësojë 13 punëtorë, nga të cilët dhjetë bashkatdhetarë nga Tetova, dy nga Kosova dhe një shtetas portugez. Gjatë sezonit të verës, ai punëson edhe gjashtë punëtorë të tjerë dhe të gjithë punëtorëve ua jep hakun sipas standardeve zvicerane, përfshirë këtu edhe rrogën e trembëdhjetë, ende pa iu tharë djersa.

Një histori në vete është integrimi i dy djemve të tij në sistemin arsimor zviceran. Para se të realizonte bashkimin familjar, ai i kishte dërguar fëmijët në një kurs të gjuhës gjermane në Tetovë. Pas arritjes së tyre në Zvicër, drejtoria e shkollës zvicerane dyshoi në aftësinë e djalit më të vogël për ta regjistruar në klasën e katërt, pasi nuk kishte njohuri të duhura nga gjuha gjermane, ndërsa në këtë klasë duhej mësuar edhe gjuha frenge si gjuhë e dytë zyrtare shtetërore. Pas bisedimeve me drejtorinë, djaloshi i vogël e kërkoi materialin e kaluar të klasës së katërt nga gjuha frenge, për ta mësuar i vetëm në shtëpi, me premtimin se po që se nuk e fitonte notën e duhur, viti i tij të përsëritej. Por, a ka barrierë që i ndalon fëmijët tanë inteligjentë në synimin e tyre?! Ky djalosh i shkëlqyeshëm, jo vetëm që mori një notë të lartë në lëndën e gjuhës frenge, por ai aktualisht është një ekonomist politik i suksesshëm, ndërsa vëllai i tij është ekspert i shkencave kompjuterike. O Zot, çfarë mrekullie nga fëmijët tanë në mërgim!!!

Naseri heziton të reklamohet para opinionit: “Nuk kam nevojë të më bëjë ndokush reklamë apo marketing për punën time. Nuk kam rrezik që të mbetem pa punë, pasi të gjithë janë bindur në kualitetin tim të punës”, thekson ai. Në faqen e tij të internetit është shkruar: “`Xheladini Eisenleger GmbH` e ka seilnë e tij në Brig dhe është themeluar në vitin 2012.
Ne jemi një nënkontraktor që kryen punimet e armaturës për disa kompani ndërtimi në Valis të Epërm.

Menaxhuesi i kompanisë, z. Naser Xheladini, ka më shumë se 25 vite përvojë profesionale. Prandaj, ai ka horizont të gjerë të njohjes së profesionit dhe ka trajnuar disa punëtorë në këtë sferë.

Aktualisht, kompania jonë ka të punësuar deri në 15 punëtorë, të cilët kanë shumë vite përvojë pune.

Pikat tona të forta përfshijnë një nivel të lartë të kompetencës dhe një fleksibilitet të madh, i cili na lejon të përmbushim afatet dhe buxhetin e specifikuar në çdo kohë.