Nuk ka të ndalur punësimi i maqedonasve të deklaruar si shqiptarë. Kjo ka ndodhur sërish në komunën e Kumanovës, ku janë realizuar katër punësime në një konkurs të hapur për shqiptarë, ndërsa janë punësuar maqedonas.
Sipas vendimeve të nënshkruara nga vetë kryetari i kësaj komune, Maksim Dimitrievski të punësuarit janë: Igor Dimitrievski, Nenad Dimovski, Boban Stojanovski dhe Dragan Veliçkovski.
Ata janë punësuar në pozitat: shofer, mirëmbajtës, pastrues dhe shërbyes, përcjell INA vendimet e punësimeve.
Në komunën e Kumanovës sipas këtij terkut të deklarimeve si shqiptarë, dy muaj më parë u punësuar 8 maqedonas në sektorët e infrastrukturës, trafikut, kulturës, menaxhimit me krizat dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Kryetari i kësaj komune Maksim Dimitrievski pas reagimeve të shumta në opinion, ka thënë se e drejta e punësimit është e garantuar për të gjithë sikur edhe e drejtat e deklarimit të lirë të përkatësisë së tyre etnike. Ai ka thënë se Komuna ka vepruar në bazë të dispozitave ligjore gjatë realizimit të punësimeve të reja.
“Ne e kemi për prioritet të sigurojmë kuadro profesionale duke mos i ndarë në baza të përkatësisë etnike. Ne nuk ndërhyjmë në përzgjedhjen e përkatësisë etnike të kandidatëve për shkak se kjo është e drejtë e tyre personale, e drejtë e garantuar me Kushtetutë”, ka deklaruar Dimitrievski në një prononcim me shkrim.
Në Maqedoninë e Veriut gjatë konkurseve për punësime në organet administratës shtetërore aplikohet një mekanizëm elektronik i njohur si “balancues”, i cili përcakton se ata që punësohen cilës bashkësi etnike duhet t’i përkasin. Kjo procedurë ka nisur të aplikohet që në vitin 2016 dhe në bazë të kësaj, çdo institucion obligohet që gjatë punësimeve të respektojë përfaqësimin e drejtë e adekuat të të gjitha bashkësive etnike që jetojnë në Maqedoninë e Veriut.
Në qoftë se një institucion shpall konkurs për dhjetë punësime, mund të ndodhë që “balancuesi” të kërkojë që të gjithë apo shumica prej tyre të jenë shqiptarë, nëse përfaqësimi i shqiptarëve në atë institucion është i ulët apo nuk korrespondon me numrin e popullsisë shqiptare në atë komunë.
Raste të keqpërdorimit të “balancuesit” ka pasur në vazhdimësi, apo që pjesëtarët të komunitetit maqedonas të deklarohen si shqiptarë, turq, romë, apo të një bashkësie tjetër etnike për të zënë një vend pune.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski ka thënë se “balancuesi” është mekanizëm që është vendosur bazuar në Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, për mbrojtjen e bashkësive etnike gjatë punësimeve. Prandaj, sipas tij, duhet gjenden mënyra për t’i evituar keqpërdorimet.
Me një zgjidhje së fundi doli ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, i cili miratoi vendimin që në certifikatat e lindjes të qëndroj grafa e deklarimit të përkatësisë etnike. Por ky vendim i ministrit Lloga u hodh poshtë dje nga Gjykata Kushtetuese, duke thënë se masa e anulimit do të jetë e përkohshme. (INA)