Pupovci për mosakreditimin e universiteteve: Politizimi i papranueshëm

0

Këshilli Shtetëror i Cilësisë ditë më parë ka vendosur të mos i akreditojë tri nga universitetet publike, atë të Prizrenit, Pejës dhe të Mitrovicës dhe disa kolegje tjera private.

Ky vendim ka ngjallur shumë reagime në publik – pro dhe kontra.

Njohësi i çështjeve arsimore, Dukagjin Pupovci, ka thënë se vendi duhet të mësohet me vendimi të tilla.

“Këshilli Shtetëror i Cilësisë punon në bazë të disa standardeve europiane dhe mund të ndodh që këto standarde nuk janë plotësuar në mënyrë vigjilente nga këto universitete – sepse këto standarde aplikohen në mënyrë shumë strikte në Europë”, ka thënë Pupovci në “Sytë 7” në Klan Kosova.

“Universitetet kanë kohë që t’i adresojnë vërejtjet brenda një viti dhe t’i nënshtrohen sërish akreditimi, nëse ndodh e kundërta atëherë mbyllen”.

Pupovci thotë se nëse ekspertët ndërkombëtarë kanë konstatuar se nuk janë plotësuar standardet unike europine dhe kanë rekomanduar që këto universitet të mos akreditohen atëherë Këshilli “vetëm duhet ta miratojë një vendim të tillë”.

“Ekspertët janë të aprovuar nga Rrjeti i Europian i Sigurimit të Cilësisë. Janë 11 kritere të ndryshme që kanë të bëjnë me akreditimin, me siguri ata kanë vlerësuar se ndonjë nga 11 kriteret nuk është plotësuar”.

Pupovci thotë se këto vendime janë profesionale dhe nuk duhet të politizohen.

“Në vendet tjera këto janë vendime profesionale dhe nuk i merr vesh askush tjetër – por te ne kjo situatë është shkaktuar edhe pas disa ndërhyrjeve politike”.

“Është politizuar shumë. Disa subjekte po e shohin si rrezik për vota, por edhe nëse kthehemi në të kaluarën – të gjitha këto universitete janë krijuar për vota dhe pa përgatitjen e duhur”.

“Ky lloj politizimi është i papranueshëm – sidomos ndërhyrja e qeverisë”./KlanKosova