Përmes komisioneve të ndryshme në Kuvend, Qeveria ka filluar të bëjë harmonizimet ligjore me të cilat, drejtorët e ardhshëm të institucioneve, tanimë nuk do ta kenë patjetër të posedojnë certifikatë për njohjen e gjuhës angleze. Harmonizime të tilla sot u bënë në sektorin e kulturës dhe sektorin e ambientit jetësor.
“Praktikisht kjo është harmonizim me vendimin e qeverisë, me atë që përskaj uljes jo të madhe të kritereve, lihet hapësirë që drejtori, gjegjësisht kandidati për drejtor, të dorëzojë vërtetim apo ndonjë certifikatë për njohje jo vetëm të gjuhës angleze por edhe ndonjë prej gjuhëve të huaja, gjegjësisht gjermanisht apo frëngjisht”, tha Velika Serafimovska – VMRO-DPMNE.
Në praktikën e deritanishme, të cilën e kishte vendosur pikërisht VMRO-DPMNE-ja në kohën e kryeministrit Nikolla Gruevski, çdo kandidat për drejtor në institucione të ndryshme, ka qenë i detyruar të dorëzojë certifikatë për njohjen e gjuhës angleze, gjermane apo frënge ndërsa me ndryshimet ligjore, mjafton të dorëzojë vetëm vërtetim. Këto ndryshime ligjore kritikohen ashpër nga opozita por edhe opinioni. Të njëjtat nuk do ta përmirësojnë por do ta përkeqësojnë sistemin edhe më keq, thotë Oliver Spasovski nga LSDM.
“Periudhën e fundit ne ishim dëshmitarë të ndryshimeve ligjore sipas nevojave të partive në pushtet, VMRO-DPMNE-së, ZNAM-it dhe VLEN-it. Kjo do të thotë se nëse nuk i plotëson kushtet për t’u bërë drejtor, le t’i ulim kriteret vetëm e vetëm që t’i përmbushë kushtet. Askund në ligje nuk tregohen se kush duhet të jetë drejtor por të jetë njeri me integritet i cili përmbushë të gjitha kushtet që të mund të jetë në pozitë udhëheqëse”, theksoi Oliver Spasovski, Koordinator i Grupit Parlamentar të LSDM-së.
Ndryshimet ligjore u iniciuan pas rastit me drejtorin e Agjencisë për Siguri Kombëtare, Bojan Hristovski, i cili u akuzua se ka dorëzuar certifikatë të falsifikuar TOEFL, nga një kompani jo aktive bullgare, e cila është lëndë e hetimit tanimë më tepër se tre muaj. Kjo praktikë tanimë po zbatohet edhe në propozim ligjin për mbikëqyrje inspektuese.
Me këto ndryshime sipas ekspertëve shkelet sistemi i meritokracisë dhe krijohet hapësirë për kuadro partiake dhe jo profesionistë që të udhëheqin me pozita të rëndësishme. Kjo lë hapësirë që të ulet besimi dhe integriteti i organeve shtetërore./ Alsat.mk