Pushuesi nga Kosova goditet fizikisht nga truproja e Edi Ramës, mërgimtari i revoltuar rrëfen ngjarjen

Pushuesi Bekim Rashiti, nga Kosova me shtetësi zvicerane, është goditur fizikisht nga truproja e Kryeministrit Edi Rama në Himarë të Shqipërisë.

Kjo për shkak të brohoritjes së parullës “Tradhtari i Kosovës”, gjatë parakalimit të Kryeministrit Rama në këtë qytet. Kjo sjellje arrogante dhe brutale e truprojës në praninë e kryeministrit ka ngjallur reagime të shumta te qytetarët e Himarës dhe pushuesit tjerë, përcjell BotaSot.

“I bindur se në Shqipërinë demokratike respektohet vullneti dhe fjala e lirë, kam brohoritur “Qe tradhtari i Kosovës”, në shenjë revolte kundër marrëveshjeve së nënshkruara me Aleksandër Vuçiqin, pa përfillur krimet serbe në Kosovë. Papritur ka reaguar me dhunë truproja e Edi Ramës, duke më goditur fizikisht në praninë e qytetarëve dhe në sy të fëmijëve dhe bashkëshortes sime zvicerane”, deklaron i revoltuar, Bekim Rashiti për gazetën “Bota sot”.

Ai është nga fshati Sllatinë e Poshtme e Vitisë dhe prej shumë dekadash jeton dhe punon në Cyrih të Zvicrës. Kundër kësaj sjellje antiligjore dhe kësaj arrogance të paparë, Bekim Rashiti paralajmëron padi në gjykatën e Tiranës ndaj personit në fjalë.

“Kjo dëshmon edhe njëherë se pushteti i Edi Ramës nuk ka lidhje me demokracinë dhe fjalën e lirë. Ai gjithnjë e më shumë po rrëshqet drejt totalitarizmit dhe urrejtjes ndaj shqiptarëve të Kosovës”, është shprehur ai./Bota Sot