Putin akuza SHBA-së: Po zgjasin luftën në Ukrainë

Presidenti rus Vladimir Putin akuzoi sot Shtetet e Bashkuara për zgjatjen e luftimeve në Ukrainë, si pjesë e asaj që ai i cilësoi si “përpjekje të Uashingtonit për të ruajtur hegjemomninë globale”.

Duke folur në një konferencë për sigurinë, ku merrnin pjesë zyrtarë ushtarakë nga Afrika, Azia dhe Amerika Latine, zoti Putin ripohoi pretendimin e tij të hershëm, se ai i dërgoi trupat në Ukrainë në përgjigje të Uashingtonit, që e kishte kthyer Ukrainën në një vend anti-rus.

“Ata duan konflikte, që të ruajnë hegjemoninë”, akuzoi presidenti rus. “Gjendja në Ukrainë”, vazhdoi ai, “tregon se Shtetet e Bashkuara po përpiqen ta zgjasin konfliktin dhe ato po veprojnë njësoj siç kanë vepruar në Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine”.

Fjalimi ishte një përpjekje e re e udhëheqësit rus për të siguruar mbështetje mes dëmit që i kanë shkaktuar sanksionet e Perëndimit që kanë vënë në shënjestër sektorët e ekonomisë dhe financave, së bashku me strukturat qeveritare, zyrtarët e lartë dhe bizneset kryesore ruse, për shkak të sulmit ndaj Ukrainës./VOA