Putin:Do të përgjigjemi nëse NATO vendos infrastrukturë në Finlandë e Suedi

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka reaguar ndaj lajmit se Finlanda dhe Suedia do të ftohen zyrtarisht për t’u anëtarësuar në NATO.

Ai ka kundërshtuar vazhdimisht zgjerimin e aleancës ushtarake prej 30 anëtarësh.

Putini thotë se nuk përjashton tensione të reja me dy vendet nordike, sipas citimeve të transmetuara nga agjencitë ruse të lajmeve.

Ai shton se Moska do të përgjigjet në të njëjtën mënyrë, nëse infrastruktura e NATO-s vendoset në Finlandë dhe Suedi.

Sa u përket luftimeve në Ukrainë, Putin citohet të ketë thënë se qëllimi i tij përfundimtar është të “çlirojë” të gjithë rajonin lindor të Donbasit.

Duke komentuar sulmin me raketa të së hënës, në një qendër tregtare në Kremenchuk, Putin thotë se Rusia nuk godet objektivat civile.