Putini a do të arrestohej nëse vjen në Serbi, flet Vuçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në lidhje me fletarrestimin e presidentit rus Vladimir Putin për krime lufte të lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, tha se beson se ky është një vendim që do të ketë pasoja të këqija politike.

“Pyetja ime është, ‘tani e keni akuzuar për krimet më të mëdha të luftës, me kë do të flisni tani’,” u tha Vuçiq gazetarëve në Presidencë, ku ai iu drejtua kombit me rastin e raundit të djeshëm të bisedimeve midis Beogradit dhe Prishtinës, në të cilën të dyja palët pranuan Aneks marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve të ndërsjella.

Ai pyeti nëse Perëndimi po pret humbjen e Putinit dhe sa do të presë.

“A mendoni vërtet se është e mundur të mposhtet Rusia në një muaj, tre muaj apo një vit”, shtoi ai.

Ai tha se “nuk ka dyshim se qëllimi i atyre që e bënë këtë është që ta vështirësojnë komunikimin e Putinit, në mënyrë që kushdo që flet me të të jetë i vetëdijshëm se ai akuzohet për krime lufte.

I pyetur se çfarë do të bënte Serbia si nënshkruese e Statutit të Romës, e cila themeloi Gjykatën Penale Ndërkombëtare, në rast se Putini do të vinte në Serbi, d.m.th nëse do ta arrestonte dhe ekstradonte atë, ai tha se ishte një “pyetje e pakuptimtë, sepse” është e qartë se Putini nuk ka ku të shkojë për sa kohë që konfliktet vazhdojnë”.

Ai shtoi se nuk ka arrestuar as ata që janë kërkuar nga Tribunali.(INA)