Qafë Thanë/ Ndihmuan në kalimin e mallrave kontrabantë arrestohen dy policë, dy doganierë dhe tre shtetas

Policia ka arrestuar ditën e sotme 7 persona në pikën kufitare Qafë Thanë, nën akuzë për shpërdorim detyre e korrupsion, pas finalizimit të operacionit “Dinarët”.

Ndër to, dy ishin punonjës policie të pikës kufitare, dy doganierë dhe tre shtetas nën akuzë për “Shpërdorim detyre”, “Korrupsion aktiv/pasiv” dhe “Kontrabandë me mallra të tjera”.

Për veprën penale “Shpërdorim detyre”, “Korupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” u arrestuan:

Inspektor A. H., 43 vjeç, Ndihmës/Specialist kontrollor në PKK Qafë Thanë.

Inspektor F. M., 38 vjeç, Trupë Shërbimi në PKK Qafë Thanë.

V. B., 53 vjeç, me detyrë Doganier, pranë Degës Doganore Qafë Thanë

J. P., 45 vjeç, me detyrë Doganier, pranë Degës Doganore Qafë Thanë

“Nga këqyrja e pamjeve filmike është provuar se punonjësit e policisë kufitare në bashkëpunim me punonjësit e Doganës, në këmbim të parave, kanë favorizuar shtetasit e mësipërm në kalimin e mallrave kontrabandë pa kryer procedurën e zhdoganimit,” thuhet në njoftimin e policisë.

Shtetasit J. H., 37 vjec, B. H. 38 vjec dhe F. G. 22 vjec, të tre banues në Librazhd, u kapën në flagrancë ndërsa udhëtonin me mjete të ndryshme nga shërbimet në hyrje të territorit të Republikës së Shqipërisë, duke transportuar mallra ushqimorë të futura kontrabandë nga Pika e Kalimit Kufitar “Qafë Thanë”, duke shmangur detyrimet doganore.

“Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar 3 automjete, 9 aparate celularë, sasi vlerash monetare të përfituara në mënyrë të kundraligjshme nga aktiviteti i kontrabandës në ambjentet e punës, sasi e konsiderueshme e mallrave ushqimorë dhe pijeve të ndryshme, si dhe mallra të tjera,” thuhet ndër të tjera në njoftimin e policisë.

Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec.