Kjo rrugë nuk është prekur, askush nuk brengoset për këtë rrugë.
Mijëra vetura e automjete të rënda kalojnë çdo ditë përmes autostradës Kumanovë – Shkup, nga qarkorja afër komunës së Ilindenit. Këto automjete pësojnë dëmtime të shumta nga rruga e shkatërruar në këtë qarkore. Me qëllim që të mos dëmtojnë amortizimin e tyre, lëvizin në skaj të rrugës.
“Këto vetura dhe kamionë të cilët kalojnë përmes kësaj rruge që lidhë rrugën magjistrale nga Kumanova për në Ilinden është në gjendje të dërmuar. Në këtë gjendje përfundojnë gjithashtu edhe këto vetura e automjete. Siç mund t’i shihni edhe pamjet prapa meje, të gjitha automjetet tentojnë të anashkalojnë këtë pjesë të dërmuar të rrugës dhe largohen pak më anash që të dëmtojnë sa më pak makinat e tyre”, raporton Zekirija Haxhiu, gazetar TV21.
Shoferët ankohen se kot po paguajnë nëpër pikëpagesa, ndërsa po u shkatërrohen automjetet nga gropat.
“Kjo është gjëja më e shëmtuar, nuk e merr për obligim shteti, vetëm të mbledhë para, kot paguajmë në pikëpagesa kur rrugët nuk janë të mira. Kjo këtu nuk është rrugë, është rrugë fshati, si ta them, nga gropa në gropë. Autoritetet duhet pak më tepër të angazhohen, si për këto rrugë ashtu edhe për rrugët tjera duhet t’i rregullojnë. Në kufi ka gropa prej gjysmë metër”, tha Angell – shofer kamioni.
E çfarë kanë ndërmarrë ose do të ndërmarrin autoritetet shtetërore lidhur me këtë pjesë të qarkores. Drejtori i Ndërmarrjes Publike “Rrugë Shtetërore”, Ejup Rustemi, në emisionin 10 minuta të TV21 tha se për shkak mungesës së mjeteve nuk kanë arritur të ndërmarrin asgjë, por se në një të ardhme të afërt, përmes një kredie do të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për rehabilitimin e saj.
“Këto ishin dy projektet të cilat ishin paraparë me fondet që i kemi me një kredi për shkak se për mospasjen e mjeteve nuk arritëm që t’i rehabilitojmë. Ne tani me një tenderim kornizë, ne do të zgjedhim edhe një kompani tjetër e cila do të rehabilitojë pjesën më të dëmtuar të pjesës nga Kumanova në hyrje të Shkupit. Shpresojmë se pas përfundimit të këtyre procedurave do të fillojmë menjëherë me rehabilitimin e kësaj pjese që është më e dëmtuar”, theksoi Ejup Rustemi – Drejtor I NP “Rrugët Shtetërore”.
Rustemi për gjendjen momentale të kësaj qarkoreje, përgjegjësinë e hodhi tek ndërmarrja tjetër shtetërore “Rrugët e Maqedonisë” për të cilën thotë është përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugëve magjistrale dhe rajonale.