Sermet Sulejmani
Në një epokë kur njerëzimi ka bërë përpara me teknologji, shkencë dhe liri mendimi, një tjetër rrjedhë e rrezikshme po zë vend në hije: një kulturë urrejtjeje që maskohet si fe, një frymë mizore që, në vend të mëshirës, përhap urrejtje e terror në emër të Zotit. Kjo nuk është fe. Është deformim. Është shfrytëzim i besimit për të ushqyer urrejtje, ndarje dhe dhunë.
Sot, më shumë se kurrë, të rinjtë janë bërë pre e kësaj fryme shkatërrimtare për brezat që po vijnë. Në mungesë të alternativave edukative dhe shpirtërore të shëndetshme, dhe për shkak të neglizhencës së autoriteteve shtetërore, si në Shqipëri, Kosovë dhe kudo ku jetojnë e veprojnë shqiptarët, ata po bien lehtësisht në rrjetën e predikuesve të rremë: njerëz me fjalor e mendësi të errësuar, që s’kanë as dije fetare të vërtetë, as përkushtim moral kombëtar. Ata dalin në video me mjekra të zgjatura që u ngjajnë cjepërve, me zë të lartë dhe mesazhe të mjegullta, duke iu folur të rinjve për “luftë të shenjtë”, për “besim të vërtetë” dhe për “Zotin që do hakmarrje”.
Por Zoti nuk ka nevojë për vrasje. As për gjak. Dhe aq më pak për vdekjen e fëmijëve, grave, të pafajshmëve. Ai që vret në Gazë, Paris, Berlin, Kabul, Stamboll apo gjetkë në emër të Zotit, nuk është besimtar, por është vrasës. Një ordiner me një kostum fetar të qepur keq, qoftë ai mulla apo rabin, që nuk shpëton fëmijë, por shkatërron, djeg, vret, s’është gjë tjetër përpos vrasës. Historia e njerëzimit është dëshmitare e atyre që vrisnin në emër të Zotit, por është edhe dëshmitare se çdo mizori ka pasur fundin e vet. Zoti nuk mbetet borxhli.
Radikalizmi nuk lind rastësisht. Ai është rezultat i një varg faktorësh të ndërlidhur: boshllëku arsimor, mungesa e edukimit fetar të mirëfilltë, përjashtimi social, mungesa e shpresës për të ardhmen. Në këtë vakum hyjnë “predikuesit e shpëtimit”, tek të gjitha palët, që në fakt janë udhërrëfyes drejt errësirës.
Kur një shoqëri nuk ofron dije, atëherë merren peng besimet dhe besimtarët. Kur shtetet nuk ofrojnë mundësi, atëherë të rinjtë gjejnë rrugëdalje të rrezikshme. Dhe kur feja mësohet nga rrjetet sociale apo nga grupe të mbyllura e pa transparencë, atëherë ajo nuk është më fe; ajo, thjesht, është propagandë pijari që keqpërdorin disa njerëz për interesa personale.
Në këto raste, zgjidhja nuk është vetëm ndëshkimi, por është ndriçimi i të ardhurave të këtyre dishepujve që, pa asnjë ditë pune, po na shetisin rrugëve me makina qindra mijëra euro nëpër rrugët e qytetit tonë të Kumanovës.
Shumë njerëz ngushëllohen me idenë se “Zoti do t’i ndëshkojë”, se drejtësia hyjnore do të vijë një ditë. Dhe po, besimi na mëson se çdo padrejtësi ka një fund. Por kjo nuk mjafton. Ne duhet të veprojmë sot, në këtë jetë, në këtë shoqëri.
Duhet të çlirojmë fenë nga ata që e përdorin si armë kundër të tjerëve që s’mendojnë si ata. Duhet t’i fuqizojmë dijetarët e vërtetë, edukatorët që predikojnë paqen, dijen dhe njerëzoren. Duhet të mbrojmë të rinjtë tanë me arsim, me vetëdije qytetare, me dije të saktë dhe të pastër. Duhet të ndërtojmë një besim të shëndetshëm, të kthjellët, që nuk të nxit të urresh tjetrin, por të përmirësosh veten, sepse urrejtja është si një vorbull që të tërheq: fillimisht ngadalë, me një video, një predikim, një bisedë… dhe më pas të fundos në humnerë.
Por gjithmonë ka rrugëdalje. Shkëndija e parë është dija. E dyta është empatia. E treta është besimi i vërtetë, ai që të ndihmon të ndërtosh, jo të shkatërrosh.
Zoti nuk është me ata që vrasin në emrin e Tij. Zoti është me ata që jetojnë për të tjerët, që falin, që ndërtojnë, që mbrojnë jetën e tjetrit. Le të jemi ne me ta. Amin!