Qeveria do të rrisë sërish akcizën e naftës, ja për sa denarë

Çmimi i naftës do të rritet për katër denarë shtesë për një litër. Kjo informatë vjen nga VMRO-DPMNE prej ku thonë se në rebalancin e buxhetit ka taksë të re për qytetarët. Sipas opozitës, bëhet fjalë për tatim të ri, respektivisht kompensim për importin dhe prodhimin e dizelit prej 4 denarëve për litër.

“Me këtë tatim të ri, nafta do të shtrenjtohet përgjithmonë për 4 denarë. Zaev me këtë masë për gjysmë viti planifikon të mbledhë rreth 27 milion euro, gjegjësisht rreth 54 milion euro për një vit. Qytetarët janë ata që preken më shumë nga rritja e çmimit të naftës për shkak të taksës së re. Bujqit, transportuesit dhe qytetarët në tërësi janë ata që do të mbajnë barrën e tatimit të Zaevit.”

Nga VMRO pohojnë se dje Qeveria e ka dërguar rishikimin për miratim në Kuvend, por menjëherë është tërhequr prapë. Arsyeja nuk dihet. Nga Ministria e Financave nuk morëm përgjigje nëse përgatitet akcizë e re apo tatim tjetër për përdoruesit e dizelit. Ekonomistët thonë se nëse shtrenjtohet nafta, pushteti duhet të gjejë mënyrë si t’ua ulë shpenzimet.

“Nëse rritet në mënyrë drastike çmimi i derivateve të naftës, atëherë çdoherë duhet të mendohet për atë naftë që përdoret për biznesin, siç janë furrat apo ngrohja e korridoreve të fabrikave. Duhet të ketë subvencionime të caktuara që mos të jetë kjo pengesë për zhvillimin e biznesit”.

Ndryshe, Qeveria në krye me LSDM-në tashmë njëherë e rriti çmimin e akcizës së naftës për 3 denarë. ministri i atëhershëm i  financave Dragan Tevdovski rritjen e arsyetoi si masë me të  cilën do të ulet përdorimi i dizelit. Vitin e kaluar, Qeveria me dekret në mënyrë plotësuese e rriti çmimin e dizelit për 3 denarë si masë kundër Covid, por i njëjti tashmë ka skaduar. Ndryshe, nga Komisioni Rregulltar Energjetik tashmë njoftuan se me normalizimin e gjendjes me pandeminë, do të pasojë rritje më serioze e çmimit të naftës dhe derivateve./alsatm