Qeveria e dorëzoi Propozim-ligjin për mbështetjen e kultivuesve të duhanit në Kuvend

Qeveria në mbledhjen e sotme e miratoi Propozim-ligjin për mbështetje financiare për uljen e pasojave të shkaktuara nga koronavirusi ndaj prodhimtarisë së duhanit.

Me ligjin rregullohen kushtet, shfrytëzuesit dhe çmimi, si dhe procedura për ndarjen e mbështetjes financiare për blerjen e duhanit nga korrja e vitit 2020.

“Duke pasur parasysh se nuk bëhet fjalë për ligj voluminoz dhe të komplikuar, sipas nenit 170 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe në interes të prodhuesve të duhanit, Qeveria e dorëzoi tekstin e propozuar në miratim me procedurë të shkurtër”, informuan nga shërbimi për informim i Qeverisë.

Edhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Arjanit Hoxha dje informoi se propozim-teksti është në procedurë finale. Qëllimi i miratimit të ligjit, theksoi Hoxha, është që të paguhen mjetet e paguara për mbështetje të kultivuesve të duhanit.

Sipas ligjit, për kultivuesit e duhanit janë paraparë 307,5 milionë denarë, mjete me të cilat, krahas subvencioneve tashmë të paguara, do të arrihet, siç tha ministri, çmimi mesatar prej mbi 180 denarë për një kilogram duhan.