Qeveria e fut në Pakon e Ringjalljes Ekonomike masën e fundit, do të ndahen 10 milionë euro

Qeveria e ka votuar një ndryshim në vendimin e para një viti për aprovimin e Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

Kësaj pakoje, Qeveria në një mbledhje elekronike të mërkurën ia ka shtuar edhe masën “Qeveria për familjes”, për të cilën do të ndahen 10 milionë euro.“Ka marrë miratimin e kabinetit qeveritar edhe vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 13/19 të datës 14 korrik 2021 me ndryshimet dhe plotësimet e bëra, lidhur me Pakon e Ringjalljes Ekonomike. Plotësimi dhe ndryshimi i vendimit i shton Masës 1 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike edhe masën 1.8 – Skema “Qeveria për familjet”- për të cilën ndahen 10 milionë euro”, njoftoi Zyra e Kryeministrit.

Ministri i Financave, Hekuran Murati në një konferencë për media kishte treguar kriteret për bizneset dhe të papunët që duan të përfitojnë nga masa e fundit e Qeverisë për “punësim të garantuar”.

Qeveria ka vendosur që t’i ndihmojë me 70% të pagës bruto (maksimum deri në 300 euro) për 6 muaj, bizneset që marrin punëtorë, e këta të fundit duhet të mos e kenë asnjë familjar tjetër të punësuar.