Qeveria e Kosovës, ka ndarë 10 mijë euro për rindërtimin e shkollës së djegur në Dacaj-Rozhajë

0

Ministria e Financave e Kosovës ka ndarë 10 mijë euro për rindërtimin e objektit të shkollës së djegur në Dacaj të Rozhajës.
“Pas marrjes së informatave për djegien e shkollës fillore në fshatin Dajac të Komunës së Rozhajës, në Republikën e Malit të Zi, Ministria e Financave dhe Transfereve është interesuar për rindërtimin e kësaj shkolle.

Nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, janë kontaktuar autoritetet lokale dhe komuniteti shqiptar në Malin e Zi.
Si rrjedhojë e nevojës së paraqitur, ministri i Financave dhe Transfereve Besnik Bislimi me qëllim të ofrimit të ndihmës materiale për rindërtimin e kësaj shkolle të djegur, ka marrë vendim që të ofrojë mbështetje financiare me shumën dhjetë mijë euro (10,000.00€)”, thuhet në kumtesë.
“Ky Vendim është bazuar në kompetencat e tij ligjore të Ministrit të Financave dhe Transfereve, duke u bazuar në Ligjin e Menaxhimit të Financave Publike dhe Përgjegjësitë (LMFPP) dhe Ligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020”.