Qeveria e Kosovës ‘kopjon’ vendimin për protokollin e hyrje-daljes nga Qeveria e RMV-së? (Dokument)

0

Qeveria e Kosovës, në kuadër të masave të reja kundër përhapjes së pandemisë COVID-19, ka ndaluar hyrjen pa test për COVID-19 për qytetarët nga Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovina. Sipas këtij vendimi, obligohen të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, të Malit të Zi dhe të Bosnjë e Hercegovinës që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës të dëshmojnë se nuk vuajnë nga COVID-19.

Mirëpo ajo që bie në sy është se Qeveria e Kosovës ka kopjuar tërësisht ose ka përkthyer protokollet nga Qeveria e RMV-së për hyrje dhe dalje në vend, njofton gazeta KOHA.

“Gjithmonë në funksion të masave për parandalimin dhe luftimin e infeksionit me COVID-19, Qeveria ka aprovuar edhe vendimin, me të cilin obligohen të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, të Malit të Zi dhe të Bosnjë e Hercegovinës që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës të dëshmojnë se nuk vuajnë nga COVID-19 me anë të vërtetimit që dëshmon testin RT-PCR negativ në Sars COV-2, jo më të vjetër se 72 orë nga koha kur paraqiten në kufirin e Republikës së Kosovës”, thuhet në vendimin e Qeverisë së Kosovës.