Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi planin nacional për vaksinimin kundër COVID-19

Qeveria në mbledhjen e sotme të rregullt e shqyrtoi dhe pranoi Planin nacional për vaksinim kundër Kovid-19 në Maqedoninë e Veriut dhe e angazhoi Ministrinë e Shëndetësisë dhe institucionet e tjera kompetente ta implementojnë dhe të parashtrojnë raporte të rregullta mujore për përparimin e realizuar.

Vaksinimi në shtet do të zbatohet në tre faza në të cilat janë përfshirë kategori të ndryshme të qytetarëve.

Fazat, siç sqarojnë nga shërbimi qeveritar për shtyp, do të jenë në pajtim me sasitë fillestare të vaksinave të kapshme dhe grupet e rrezikuara prioritare për vaksinim. Tre grupe kryesore janë prioritare, me qëllim që të sigurohet funksionim i sistemit shëndetësor, të mbrohen personat në rrezik më të madh nga sëmurja, komplikimet dhe vdekja dhe të mbahen shërbimet themelore në infrastrukturën kritike.

“Për zbatimin e vaksinimit do të shfrytëzohet infrastruktura ekzistuese shëndetësore dhe kuadri profesional i cili deri më tani e zbaton vaksinimin në shtet. Organizata se sistemit do të adaptohet në pajtim me kushtet dhe për momentin kur do të ketë numër më të madh të vaksinave, vaksinimi do të zbatohet në shtrirje më të gjerë me mundësi për përfshirje të disa ekipeve vaksinuese dhe hapje të pikave”, thuhet në kumtesë.

Plani nacional, sqarojnë, përfshin edhe mbështetje ekzistuese dhe të sigurt logjistike për pranim, deponim de distribuim të vaksinave deri te pikat vaksinuese ku do të bëhet vaksinimi”.