Qeveria e Maqedonisë së Veriut në një komunikatë për media njoftoi miratimin e Planit Operativ për Punësim për vitin 2025, i cili kap vlerën prej 2.5 miliardë denarë (rreth 40 milionë euro) dhe parashikon përfshirjen e mbi 16.000 qytetarëve.
Ky plan shënon një rritje rekord prej 7.5 milionë euro krahasuar me vitin 2024, duke theksuar përkushtimin e Qeverisë ndaj reduktimit të papunësisë përmes krijimit të vendeve të reja të punës.
“Me Planin Operativ, fokusi kryesor vendoset te të rinjtë dhe personat e papunë, pasi prioriteti ynë është ulja e papunësisë përmes hapjes së vendeve të punës për qytetarët,” deklarojnë nga Qeveria. “Plani përfshin tri kategori kryesore: të rinjtë, që duam t’i mbajmë në vend përmes këtyre masave; personat e papunë dhe shfrytëzuesit e ndihmës minimale të garantuar, me qëllim përmirësimin e standardit të tyre jetësor.”
Për herë të parë, në Planin Operativ përfshihen masa të dedikuara posaçërisht për të rinjtë. Mbështetja për vetëpunësim është zgjeruar me dy nënmasa të reja:
Mbështetje për vetëpunësim për persona të papunë me arsim fillor ose më të lartë, me një shumë të pakthyeshme prej 7.000 euro për fillimin e biznesit të tyre.
Mbështetje për vetëpunësim për të rinjtë deri në 29 vjeç, me një shumë të pakthyeshme prej 10.000 euro për themelimin e biznesit.
Një tjetër risinë e këtij plani përbën nënmasa për vetëpunësim përmes bashkimit të deri në dy persona, të cilët mund të themelojnë një biznes së bashku. Shuma e mbështetjes financiare varion nga 14.000 deri në 20.000 euro, ku maksimumi prej 20.000 eurosh dedikohet për bashkëthemelues të rinj deri në 29 vjeç.
Si kusht i vetëm paraprak për përfitimin e këtyre masave, personat e papunë duhet të jenë të regjistruar si kërkues aktivë të punës në qendrat për punësim në të gjithë vendin.