Qeveria flet për ngjarjet në BFI

0

Maqedonia e Veriut është shtet sekular dhe Qeveria nuk përzihet në punën e bashkësive fetare, deklaroi sot zëdhënësi i qeverisë, Mile Boshnjakovski lidhur me trazirat e djeshme në Bashkësinë Fetare Islame.

Lidhur me akuzat e reisit Sulejman Rexhepi të drejtuara ndaj Qeverisë, Boshnjakovski theksoi se Qeveria e dënon gjuhën e urrejtjes, si çdoherë deri më tani dhe shtoi se institucionet që janë të përfshira në disa probleme të caktuara që ndodhi në BFI do ta japin edhe fjalën e tyre në kohën e dhënë.

Para pak kohësh edhe Komisioni për marrëdhënie me bashkësitë fetare dhe grupet religjioze në mënyrë të ashpër përgënjeshtroi çfarë do lidhje të tyre në ngjarjet dhe trazirat e fundit në Bashkësinë Fetare Islame (BFI), për çka mbrëmë u akuzua nga Reis ul Ulejma e BFI-së, Sulejamn Rexhepi.

Në ngjarjen e mbrëmshme, pas seancës së mbajtur të jashtëzakonshme të Riasetit të BFI-së, Rexhepi në një pjesë të deklaratës së tij i akuzoi drejtorin e Komisionit për marrëdhënie me bashkësitë fetare dhe qeverinë se janë të përfshira në ngjarjet e fundit në BFI.

“Edhe pse tërë opinionit i është i njohur jokredibiliteti dhe të pa vërtetat e pretendimeve të tilla, për shkak të respektit të thellë dhe të sinqertë ndaj qytetarëve të fesë myslimane duam të japim përgënjeshtrim të ashpër dhe mesazh të qartë se Komisioni për marrëdhënie me bashkësitë fetare, as udhëheqësia e tij në asnjë mënyrë nuk është përfshirë në ngjarjet dhe trazirat e fundit në BFI. Duke e ruajtur renomenë e tij personal dhe institucional në nivel të lartë nuk do të përfshihemi aspak në komunikimin e mëtutjeshëm me diskreditime personale dhe trillime. Ky ishte hap i pamatur për shpifje”, theksohet në kumtesën e Komisionit.

Problemi eskaloi dje pasdite kur me vendim të gjykatës për kreun e ri të BFI-së u emërua Skender Buzaku, i cili paralajmëroi se prej sot e ndërmerr udhëheqësinë me bashkësinë fetare dhe shtoi se ai e ka ftuar policinë financiare për t’i detektuar parregullsitë në punën e trupave udhëheqës të BFI-së. Në këtë reagoi Rijaseti i BFI-së dhe personalisht reisi Rexhepi, duke e akuzuar Komisionin për bashkësi fetare dhe qeverinë për përzierjen e ashpër në punën e tyre.

“Bë het fjalë për çështje të brendshme të bashkësisë fetare, për të cilat apelojmë të zgjidhen me mirëkuptim të ndërsjellë, në harmonizim me rregullat pozitive juridike dhe në dobi të besimtarëve”, thonë nga Komisioni për marrëdhënie me bashkësitë fetare dhe grupet religjioze lidhur me deklaratën e Reis Ul Ulejma Haxhi Sulejman efendi Rexhepi.