Qeveria paralajmëron analiza të reja për rritjen e rrogave në arsimin e lartë

Me të vërtetë duhet të vlerësohet puna e profesorëve, por duhet t’i kemi parasysh edhe gjendjet në shtet në kushte të krizës ekonomike. Këtë, kryesisë s Sindikatës së Universitetit “Shën Cirili e Metodi” ia transmetuan kryeministri, Dimitar Kovaçevski dhe ministrat e Financave dhe të Arsimit dhe Shkencës, Fatmir Besimi dhe Jeton Shaqiri në takimin e sotëm në Qeveri.

Temë e takimit, thekson Qeveria në kumtesë, ishte kërkesa e Sindikatës së USHCM-së për rritje të rrogave të profesorëve dhe nënshkrimi i Marrëveshjes së posaçme kolektive për USHCM-në, pavarësisht Marrëveshjes ekzistuese kolektive të SASHK-ut, të nënshkruar vitin e kaluar.

Siç informoi shërbimi qeveritar për shtyp, përfaqësuesve të Sindikatës së USHCM-së, të kryesuar nga kryetari Angel Ristov, u është cekur se në katër vitet e kaluara rrogat e të punësuarve në universitete janë rritur për gjithsej 20 për qind, përkatësisht 5 për qind nga shtatori 2019, 8 për qind nga shtatori 2021 dhe 7 për qind nga shtatori i këtij viti.

“Gjithashtu, nga ana e kryeministrit dhe ministrave u cek se do të bëhen analiza dhe përllogaritje të hollësishme në mënyrë që të vazhdohet rritja e rrogave në arsimin e lartë dhe shkencë edhe vitin e ardhshëm, por u kërkuar nga Sindikata të bëhet riorganizim i fakulteteve dhe hyrje të programeve të reja atraktive studimore, të cilat do t’i rrisin të ardhurat vetanake të institucioneve të arsimit të lartë. Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut përveç që punon në rritjen e rrogave në arsim, punon edhe në avancimin e projekteve shkencore-hulumtuese për institucionet publike shkencore, por edhe për furnizim të pajisjeve për laboratore, akreditim të laboratoreve për veprimtari shkencore-hulumtuese”, ceket në kumtesën e Qeverisë.

Shërbimi qeveritar për shtyp thekson edhe se në drejtim të përmirësimit të gjendjes në arsimin e lartë, janë kthyer disa bursa dhe janë vendosur të reja për studime pasdiplomike dhe të doktoraturës në shtet.

Me këtë politikë të bursave, thekson Qeveria, i nxisim studentët e suksesshëm të sendërtohen dhe të merren me punë shkencore-hulumtuese, por edhe të mbeten në shtet si kuadër i universiteteve dhe institucioneve.