Qeveria teston tregun e letrave me vlerë, ankandi do të hapet më datë 8 nëntor

Gjatë vitit 2018, është shënuar rritje e shpenzimeve për interesa e cila është ndikuar kryesisht nga rritja e stokut të borxhit në vlerë absolute dhe efekti i parablerjes së Eurobond-it që maturohet në vitin 2020.TIRANË– Ministria e Financave ka planifikuar të testojë tregun e letrave me vlerë, duke emetuar një obligacion 15-vjeçar për shërbimin e borxhit të brendshëm. Sipas burimeve zyrtare të Ministrisë së Financave, ankandi do të hapet më datë 8 nëntor 2021, ku fillimisht synohet sigurimi i një vlerë prej 1 miliard lekësh. Afati më i gjatë i maturimit i aplikuar deri më tani është obligacioni 10-vjeçar, ndërkohë që gjithnjë e më shumë borxhi afatgjatë po rrit peshën në strukturën e borxhit.

Borxhi i brendshëm deri në fund të qershorit 2021 arriti në 669, 4 miliardë lekë, nga ku 67,6% ishte i emetuar në obligacione, ose 453 miliardë lekë. Nga shuma totale e borxhit të brendshëm, 101 miliardë janë të mbajtura në obligacione 10-vjeçare, të cilat përbëjnë 15% të stokut të borxhit te brendshëm në fund të qershorit 2021.

Zgjatja e afateve të maturimit në 15 vite e bën më të lehtë administrimin e shërbimit të borxhit dhe ushtron presion në uljen e normës së interesit, sipas financave.

Shpenzimet për interesa të borxhit shtetëror ndaj të ardhurave tatimore dhe PBB, gjatë viteve të fundit kanë ndjekur një trajektore rënëse, duke përjashtuar këtu vitin 2018 dhe vitin 2020.

Gjatë vitit 2018, është shënuar rritje e shpenzimeve për interesa e cila është ndikuar kryesisht nga rritja e stokut të borxhit në vlerë absolute dhe efekti i parablerjes së Eurobond-it që maturohet në vitin 2020.

Gjatë vitit 2020, shpenzimet e interesave në vlerë pësuan rritje rreth 1 miliard Lekë krahasuar me fundin e vitit 2019 për shkak të ndikimeve të pandemisë dhe rritjes së nevojës për financim.Kosto mesatare e borxhit të brendshëm (norma mesatare e ponderuar) ka ardhur në rënie, megjithëse në portofolin e borxhit është rritur ndjeshëm përqendrimi i titujve afatgjatë. Ulja e kostos mesatare ka ardhur për shkak të rënies së vazhdueshme të normave të interesit në tregun e brendshëm dhe zëvendësimit të borxhit që maturohet me norma interesi më të favorshme. Në dallim nga borxhi i brendshëm, kosto mesatare e borxhit të jashtëm ndër vite ka qenë më e qëndrueshme.

Portofoli i borxhit të jashtëm ka kosto më të ulët se borxhi i brendshëm, pasi burimet dypalëshe dhe shumëpalëshe të huamarrjes së huaj kanë mundësuar terma të favorshme financimi, ndërkohë që edhe instrumentet e tregtueshme si Eurobond-i emetohen në tregje shumë më konkurruese dhe likuide se tregu vendas

Gjatë vitit 2020, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka emetuar në tregun e brendshëm tituj shtetërorë në vlerën 349.7 miliardë lekë, nga të cilat 223.9 miliardë Lekë nëpërmjet titujve afatshkurtër dhe 125.8 miliardë lekë nëpërmjet titujve afatgjatë. Rreth 86.1% e huamarrjes së brendshme ka shërbyer për rifinancimin e titujve ekzistues dhe pjesa tjetër për të shërbyer nevojat buxhetore të planifikuara në rritje kryesisht për shkak të pandemisë COVID-19.

Nga pikëpamja e investitorëve, baza e investitorëve, vijon të jetë e përqendruar në mbi 60% tek sektori bankar duke e bërë portofolin e borxhit të brendshëm të ndjeshëm ndaj risqeve sistemike që mund të paraqesë ky sektor./B.Hoxha