Qeverisja aktuale LSDM-BDI në panik

Fadil Zendeli

Afera të njëpasnjëshme në organet e jurisprudencës tregojnë qartë se pushteti sa më shumë që implikohet në punën e organeve të jurisprudencës aq më shumë ka skandale, afera, korrupsion, raporte negative nga UE, përkrahje më të ulët nga ana e qytetarëve për gjyqësinë dhe prokurorinë, pasiguri dhe varfëri për qytetarët, etj.

Aq shumë e tepruan me politizimin dhe kapjen e organeve të jurisprudencës nga ana e pushtetit sa që e nevrikosen ambasadoren e SHBA-së që të reagoj ndaj zgjedhjeve në prokurorinë për krim të organizuar.

Dje, Kryetarja e Këshillit Gjyqësor dha dorëheqje me arsyetimin se ka qenë nën presion të grupit të biznesit në gjyqësi dhe se ka pasur fushatë të organizuar që të largohet nga pozita. Paramendoni, Kryetarja e Këshillit Gjyqësorë arsyeton dorëheqjen e saj me presionet nga grupet biznisore brenda gjyqësorit.

Ndërsa në prokurorinë e lartë në Shkup është në proces zgjedhja e shefit të prokurorisë dhe për befasi nga tre kandidatët e kandiduar mbetet në lojë vetëm kandidati i cili ka pasur kritika të forta nga opinioni publik se në raste të caktuara ka qenë ndihmesë për persona dhe lëndë në interes për pushtetin.

Aq keq janë punët në organet e jurisprudencës saqë është e qartë se e keqja ka depërtuar në çdo pore të këtyre institucioneve dhe se nga institucione që duhet të jenë garant i sundimit të së drejtës janë shndërruar në fundosës së shpresës së qytetarëve të vendit se institucionet publike do ta bëjnë punën për të cilën janë të paguar nga qytetarët.

Zgjidhja nga kjo situatë është që të kërkojmë ndihmë nga UE dhe SHBA si dhe institucione relevante ndërkombëtare nga fusha e drejtësisë që sistemi i jurisprudencës të reformohet thellësisht në përputhje me standardet më të mira të vendeve demokratike.