QEVERISJA VENDORE – DËSHTIM I TURPSHËM

Nga Xhelal Zejneli

Që nga fillimi i pluralizmit e deri më sot, nëpër bashkitë shqiptare kryetarët ndërrohen njëri pas tjetrit. Kështu, tridhjetë vjet me radhë. Çdo kryetar bashkie ka qenë i kandiduar prej partisë së vet. Çdo kryetar bashkie ka ardhur në pushtet nëpërmjet një fushate parazgjedhore që ka zgjatur deri tridhjetë ditë. Thua ti se zgjidhet kryetari i Amerikës.

Çdo pretendent për kryetar bashkie, gjatë fushatave parazgjedhore u ka premtuar qytetarëve çmos. Nga ajo që u kanë premtuar qytetarëve, është realizuar pak, për të mos thënë fare. Madje, ka nihilistë që thonë se sot është më keq se dikur.

Ku kanë mbërritur qytetarët e bashkive shqiptare, pas tri dekada pluralizmi? Problemet me të cilat ballafaqoheshin qytetarët para shumë viteve, ekzistojnë edhe sot.

Edhe pas shumë viteve, qytetarët e bashkive të caktuara preokupohen:
– me mungesën e ujit të pijshëm;
– me çështjen e pazgjidhur të hedhurinave;
– me mungesën e infrastrukturës rrugore;
– me degradimin e rrugëve;
– me rrugët plot gropa;
– me vërshimin e ndërtimeve pa leje;
– me mungesën e hapësirave të gjelbra;
– me uzurpim të paligjshëm të hapësirave të gjelbra nga pronarët e restoranteve;
– me uzurpim të trotuareve nga pronarët e tregtizave;
– me uzurpim të trotuareve nga tregtarët e imët;
– me mungesën e parkingjeve tokësore, nëntokësore dhe mbitokësore;
– me mungesën e një salle sportive bashkëkohore;
– me mungesën e një biblioteke bashkëkohore;
– me qarkullim rrugor të dendur,
– me bllokim të qarkullimit rrugor;
– me mungesë të rrugëve anësore që do të bënin të mundur qarkullimin rrugor, pa hyrë në qytet;
– me mungesë të baj-paseve rrugore;
– me ndotje të ajrit;
– me shporta hedhurinash, të degraduara;
– me mungesë klasifikimi të hedhurinave;
– me papastërti në të katër anët e qytetit;
– me rrugë që s’kanë parë netull me sy;
– me rrugë që s’kanë parë ujë me sy, përpos në kohë reshjesh të dendura;
– me mungesë të një qendre për trajtimin human të qenve, të ashtuquajtur endacakë;
– me mosrespektim të rregullave të qarkullimit;
– me mungesë pedonalesh;
– me mungesë të një plani urbanistik bashkëkohor.
* * *
Kryetarët e bashkive i shndërruan bashkitë në ente punësimi dhe në ente sociale. Këtë e kanë bërë për interesa partiakë. Janë punësuar veprimtarë dhe militantë partiakë. Punësime nëpër bashki janë bërë edhe për arsye miqësie. Bashkitë i kanë shndërruar në ente punësimi apo në ente sociale, sidomos ata kryetarë bashkish të cilët kanë pretenduar të zgjidhen për një mandat të dytë apo edhe të tretë. Me fjalë të tjera, bashkitë i kanë shndërruar në ente punësimi dhe ente sociale, për qëllime votash. Nëpërmjet punësimeve nëpër bashki apo nëpër organet bashkiake, këta të ashtuquajtur kryetarë bashkish, i kanë krijuar ushtritë e veta të votuesve.
Çështje në vete janë listat “e të punësuarve”. Nëpër këto lista, që zyrtarisht kurrë s’janë bërë publike, mund të jenë përfshirë persona me gjendje ekonomike solide. Turp dhe mëkat. Zhvatje e djersës së këtij populli të varfër.
Mjetet financiare të bashkive duhet të jenë në shërbim të qytetarëve. Mjetet e bashkive duhet të shërbejnë për ndërtimin e infrastrukturës së qytetit dhe jo për t’i “punësuar” bijtë dhe bijat e familjeve me ekonomi solide. Turp dhe mëkat.
Turp dhe mëkat për kryetarin e bashkisë që ka bërë “punësime” të tilla; turp dhe mëkat për bijtë dhe bijat e prindërve me të ardhura solide; turp dhe mëkat për inteligjencien shqiptare që i ka mbyllur sytë para një funksionimi anarkik të bashkive; turp dhe mëkat për partitë nga radhët e të cilave vijnë këta kryetarë bashkish.
Në një shtet ligjor dhe në një shoqëri të ngritur punësimet bëhen me konkurs publik dhe në përputhje me nevojat e institucionit. Në asnjë shtet të botës së qytetëruar punësimet nuk bëhen pa konkurs publik dhe në kundërshti me nevojat e institucionit.
Nëpër bashki të caktuara, për interesa meskinë të kryetarit të bashkisë dhe të partisë nga e cila vjen, “punësimet” janë bërë:

– pa konkurs publik; dhe
– në kundërshti të plotë me nevojat e institucionit bashki apo të organeve bashkiake.

Me një fjalë, “punësimet” janë bërë pa kurrfarë sistematizimi të mirëfilltë apo me njëfarë sistematizimi fiktiv. Si rrjedhojë:

– në një zyrë, ku është dashur të punojnë një apo dy vetë, “kanë punuar” tre-katër vetë;
– persona të caktuar, bij dhe bija të etërve dinakë, kanë marrë rroga duke ndenjur në shtëpi.
Legjenda thotë se nëpër listat e pagave figurojnë edhe persona të cilët kanë punuar edhe nëpër ndërmarrje të tjera. Turp dhe mëkat. Veprime absurde si në veprat e Franc Kafkës, të Zhan-Pol Sartrit, të Alber Kamysë, të Semjuel Beketit.
Pjesë e listave të honorarëve kanë qenë edhe të ashtuquajturit mbartës të proceseve kulturore dhe realizues të të ashtuquajturave projekte. Vite me radhë, këta kulturtregerë trokasin nëpër dyert e bashkive, pa i lënë rahat as sponsorët privatë, për të nxjerrë mjete për veprimtarinë e tyre që ata e cilësojnë si kulturë. S’ka dyshim se veprimtaritë kulturore i duhen një shoqërie, por jo çdo manifestim mund të merret për kulturë. S’është kurrfarë krijuesi artistik ai i cili vihet në shërbim të politikës. Artistët e mëdhenj nuk janë vënë në shërbim të pushtetit as në mesjetë, e ku më në kohën e komunikimit satelitor. Arti i mirëfilltë është kundërshti e pushtetit, e çdo pushteti. Këta kulturtregerë dhe realizues “të projekteve”, trokitjen nëpër dyert e bashkive – dhe të sponsorëve – e kanë shndërruar në mënyrë jetese.
Në lista pagash bijë dhe bija etërish dinakë, në një kohë kur punëtorët e Ndërmarrjes Komunale Publike s’i kanë marrë rrogat në mënyrë të rregullt. Qytet i palarë dhe i papastruar, në një kohë kur në Ndërmarrjen Komunale Publike ka tepricë të punësuarish.
Ç’qeverisje vendore janë këto kjo kur një përqindje e madhe e qytetarëve nuk i shlyejnë detyrimet komunale?!
Në asnjë vend ku zbatohet ligji dhe ku çon peshë vetëdija qytetare, kryebashkiaku nuk e nis meremetimin e rrugëve apo të rrugicave, tre muaj para fillimit të fushatës zgjedhore. Domethënë, qëllimi është t’i fitoj votat dhe jo të kryej punë.
Bashkitë dhe qeverisësit e tyre, vërtet shumë punë i kanë lënë pa i bërë, por ka edhe do punë që i kanë bërë, madje me përkushtim dhe vigjilencë të madhe. E kanë bërë politizimin dhe partizimin e skajshëm të të gjitha poreve të shoqërisë. Sidomos të arsimit. Të arsimit fillor dhe atij të mesëm. Shërbëtor shkolle katundi s’ke mundur të punësohesh, pa të punësuar kryebashkiaku, domethënë partia. Kryetarët e bashkive janë kujdesur që në pozita drejtuese të caktojnë kryesisht persona të dëgjueshëm, që i dirigjojnë dhe që i urdhërojnë më lehtë. Të tillët që kanë qenë të etshëm për pushtet. Të tillët i kontrollon më lehtë, shumë lehtë.
Mirëpo, ish-prefektët harrojnë se lakmitarët e pushtetit, sapo vjen në pushtet një forcë e re, sakaq ia kthejnë shpinën komunarit humbës. Tani kthehen e bëhen me pushtetarin e ri. Për t’iu përshtatur rrethanave të reja, këta kameleonë që s’kanë kurrfarë parimi, thonë: “Ishte koha për ndryshime”.
Bashki të caktuara janë shndërruar kësisoj në prona private të kryetarëve të bashkive. Kryetarë të caktuar kanë menduar se bashkitë janë mall babe të tyre.
Para veprimeve të sipërthëna – surrealiste, shumë pak kanë reaguar, për të mos thënë hiç, edhe anëtarët e të ashtuquajturve këshilla bashkiakë. Pjesë e këtij dance macabre s’ka sesi të mos jenë edhe të ashtuquajturat kabinete të kryetarëve të bashkive.
Nëpër shumë bashki, me dekada është punuar në mënyrë jotransparente. Pushteti vendor është qeverisur dhe është administruar në mënyrë tinëzare dhe tinëzake. Ashtu qeverisin dhe ashtu administrojnë shpirtrat meskinë. Ashtu qeverisin dhe ashtu administrojnë tinëzarët dhe tinëzakët. Tinëzarë dhe tinëzakë të veshur me petkun e engjëllit, thua ti se mizën s’e shkelin. Tinëzarë dhe tinëzakë që hiqen intelektualë të mëdhenj. Intelektualë të mëdhenj pa asnjë provë intelektualizmi, pa asnjë vepër intelektuale. Mashtrues të sofistikuar që njeriu i rëndomtë s’mund t’u bjerrë në fije. Intelektualë me shpirt tregtari, në mos dhe tyxhari. Madje këta njerëz rregullisht i sheh nëpër mediume dhe ceremoni rasti, me poza si në veprat e Anton Pavlloviç Çehovit.
Tridhjetë vjet pushtet vendor dhe qeverisje vendore, pa kurrfarë llogaridhënieje para qytetarëve. Tridhjetë vjet pushtet vendor, pa kurrfarë përgjegjësie. As përgjegjësi ligjore, as përgjegjësi morale. Shkojnë e vijnë kryetarët e bashkive, pa i dhënë pasqyrë, raport apo përgjegjësi kryebashkiakut të ri. Konstatohet – formalisht – njëfarë borxhi dhe aq. Përse është shkaktuar gjithë ai borxh, askush s’ka pyetur. Ku kanë shkuar mjetet e qytetarëve, të taksapaguesve, askush s’e di. Dhe askush nuk pyet. Kështu veprohet në provincë, në të gjitha provincat. Në provincat e provincialëve. Mos vallë një pjesë e mjeteve kanë përfunduar nëpër xhepat e dikujt? As për këtë s’ka pyetur kush. Nëpër provinca dhe ndër provincialë, pyetje të tilla s’bëhen dot.
Perandorët e Romës kanë ndjekur politikën panem et circenses (bread and circuses). Domethënë, jepi popullit bukë e argëtim dhe qeverise atë si të duash. Është doktrinë staliniste: Për ta qeverisur më lehtë popullin, duhet ta mbash në varfëri. Dhe në varësi. Sill këngëtarë nga trojet shqiptare, argëtoje masën dhe qeverise si të duash. Ndërkaq, për bibliotekën që pret vite pa u ndërtuar, askush s’të pyet.
Por, partitë politike shqiptare dhe prefektët e tyre, të dikurshëm, të djeshëm dhe të sotëm duhet ta dinë se në shekullin XXI dhe në kohën e komunikimit elektronik, qeverisjet me plot padrejtësi dhe abuzime, nuk e kanë gjatë. Një ditë u vjen fundi. Fundi i turpshëm.
* * *
Për të sunduar sa më gjatë, prefektët janë kujdesur t’i blejnë edhe mediumet. Ka shumë forma për t’i neutralizuar mediumet. Një prej formave është t’i paguash. T’i paguash në mënyra të ndryshme. Në provincë ka mediume që shiten për dy lekë. Jepi dy lekë një shkretani që i thotë vetes redaktor apo kryeredaktor dhe ai ta nxjerrë fotografinë në gro plan. Në çastin kur prefektura ia redukton mjetet, ky farë mediumi i kasabasë fillon ta shajë shtetin.
* * *
Lidhur me dështimet evidente të pushtetit vendor në këta tridhjetë vjet të tranzicionit nuk ka reaguar fare as inteligjencia. Para ligësisë tridhjetëvjeçare, për interesa meskinë, i kanë mbyllur sytë edhe njerëzit me tituj akademikë. Për ngecjen e hapësirave shqiptare nuk e ka ngritur zërin e protestës as rinia studentore. Prapambetja e komunave me shumicë shqiptare nuk është vetëm çështje rrugësh, hedhurinash dhe qensh endacakë. Kjo është çështje me përmasë politike, thellësisht politike.
Përballë qeverisjes vendore jotransparente kemi një mungesë të plotë të mendimit kritik, të kritikës politike dhe të kritikës sociale. Një inteligjencie që nuk reagon ndaj prapambetjes së frikshme të hapësirave shqiptare, noton në vorbullën e oportunizmit, të konformizmit dhe të poltronizmit.
Të merresh sot me po ato probleme me të cilat je marrë para tri dekadave, do të thotë se koha e këtij populli qenkësh rikthyer në fillimin e saj, mu si në romanet e Gabriel Garsia Markezit. Nuk duhet lejuar që qyteti universitar të shndërrohet në qytezë, në kasaba, në pallankë apo në varosh. Nuk duhet lejuar që në hapësirat shqiptare të shfaqen skena si në veprat e Çarls Dikensit, të Balzakut, të Viktor Hygoit apo të Dostojevskit – të shekullit XIX.