Bekim Qoku
Ligji i gjuhëve i vitit 2018, rregullon përdorimin e gjuhëve të ndryshme nga gjuha maqedonase dhe që i flasin 20% e qytetarëve të MV. Ligj për gjuhën shqipe nuk ka. Kushtetuta e MV nuk përmend në asnjë rast atë. Kushtetuta e MV shqiptarët i përmend vetëm kur numëron pakicat e saj, si serbët, romët, shqiptarët, turqit.
Sidoqoftë, ligji në fjalë ka zgjeruar përdorimin e gjuhëve që i flasin 20% të qytetarëve. Zgjerimet që i kontestoi Komisioni i Venecias janë dispozitat që parashohin përdorimin e këtyre gjuhëve në 1. uniformat e forcave të sigurisë, 2. në monedhat dhe 3. nëpër gjykata.
Interesant është fakti, që deri sot e kësaj dite, asnjëra nga këto tre dispozita nuk është zbatuar dhe respektuar prejse ky ligj është i plotfuqishëm. Kurrë monedhat dhe uniformat nuk kanë parë tjetër gjuhë përveç asaj maqedonase. As kur BDI kishte gjysmën e qeverisë, kishte KM teknik dhe luante futboll në zyrat e zv. KM Artan Grubi nuk ia doli të respektonte ligjin që bëri aq bujë kur u soll dhe u trumpetua zyrtarizimi i plotë i shqipes.
Gjuha shqipe në MV është gjuhë e përkthyer. Ka statusin e thuajse çdo gjuhe tjetër të botës. Përveç përdorimit të saj në disa institucione siç është kuvendi. Edhe në kuvend, dokumenti zyrtar nuk mund të arkivohet vetëm në shqip. Pa përkthim në gjuhën maqedonase ai është i pavlefshëm.
Sa i përket dispozitës së tretë, pra përdorimit të gjuhëve nëpër gjykata, ja si mund të ilustrohet:
Në një seancë gjyqësore në një nga gjykata ku
gjykatësi është shqiptar;
prokurori është shqiptar;
i padituri është shqiptar
avokati mbrojtës është shqiptar;
proçesverbalisti është shqiptar;
dëshmitarët janë të gjithë shqiptarë
e tërë procedura edhe procesverbali i procesit mbahet, regjistrohet dhe arkivohen vetëm në gjuhën e vërtetë zyrtare, në maqedonisht e në asnjë gjuhë tjetër.
Flasim për një procedurë të rregullt që po zhvillohet sot, në të tashmen, 6 vjet pas miratimit të Ligjit të gjuhëve. BDI kurrë nuk ka ngritur pluhur dhe nuk është pezmatuar për këtë çalim të zbatimit të përdorimit të gjuhëve.
Megjithatë, Gjykata Kushtetuese e MV bën dëm të madh saherë që mbivoton gjykatësit shqiptarë, kurse drejtësinë e shndërron në drejtësi etnike. Kjo praktikë duhet doemos rregulluar me ndonjë akt ligjor apo nënligjor.