Qytetarët e Kosovës nga sot, datë 01.01.2024, mund të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen duke i dhënë fund kështu një procesi të mundimshëm disa vjeҫar për t’u pajisur me vizë Shengen, përcjell Deutsche Welle.
Fluturimi i parë i kosovarëve pa viza u bë sot në orën 8:00 të mëngjesit. Derisa një fluturim tjetër i veçantë do të jetë me fillim nga ora 10:30.Kjo pasi Qeveria e Kosovës në kuadër të fushatës informuese e ka organizuar udhëtimin e parë pa viza për fituesit me fat nga kuizi i BE.
Me heqjen e vizave, qytetarët kosovarë mund të qëndrojnë deri në 90 ditë brenda 6 muajsh në zonën Shengen. Në vendimin e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave, sqarohet se i vetmi vend i zonës Shengen ku bartësit e pasaportave të Kosovës nuk do të mund të udhëtojnë është Spanja. Kjo për faktin që Spanja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, dhe as pasaportat e saj. Edhe katër vende të zonës Shengen, si Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qipro, nuk njohin pavarësinë e Kosovës, por, njohin pasaportat e Kosovës dhe në këto vende qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë lirshëm. Institucionet e Kosovës, por, edhe ato të Bashkimit Evropian ka kohë që organizojnë fushata sensibilizuese që të tregojnë rregullat që përfshin liberalizimi i vizave.
Rregullat që duhen respektuar
Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë pa vizë për qëndrime të shkurtra në zonën Shengen, si turist, për të vizituar miqtë ose familjen, për të marrë pjesë në ngjarje kulturore ose sportive, takime afariste, trajtim mjekësor, për programe arsimore afatshkurtra si seminare, konferenca, punëtori, shkolla verore, apo aktivitete të ngjashme. Por liberalizimi i vizave nuk përfshin të drejtën për punë. Qytetarët e Kosovës që duan të udhëtojnë në zonën Shengen, në hyrje kufitare, duhet të tregojnë adresën e akomodimit, biletën e kthimit dhe dëshmi të mundësive të mjaftueshme financiare, për periudhën sa duan të qëndrojnë në zonën Shengen.
Në njoftimin zyrtar të qeverisë së Kosovës përmes udhëzuesit Integrimi Evropian i Kosovës, sqarohet se si udhëtar me të arritur në pikën e parë kufitare të Shengenit, nga policia kufitare juve mund t’ju kërkohet nëse keni dëshmi të mjaftueshme financiare për udhëtimin tuaj. Sasia e këtyre mjeteve varet nga dy grupe faktorësh: 1) nga numri i ditëve që do të qëndroni dhe shteti të cilin e vizitoni dhe 2) nga ajo nëse do të qëndroni në akomodim me pagesë si hotel/apartament apo tek të afërmit tuaj.
“Nëse deklaroni se do të qëndroni tek të afërmit tuaj duke ofruar adresën dhe kontaktin e tyre, varësisht se cilin shtet e vizitoni, shuma e mjeteve është rreth 30-50 euro në ditë për person. Nëse deklaroni se do të qëndroni në një hotel apo apartament, apo çfarëdo akomodimi tjetër me pagesë, varësisht se cilin shtet e vizitoni, shuma e mjeteve që duhet të ofroni si dëshmi financiare është rreth 50-100 EUR në ditë për person”, thuhet në njoftimin e qeverisë. Më tej në njoftim thuhet se “akomodimi nga miqtë apo familjarët mund të verifikohet duke kontaktuar drejtpërdrejtë mikpritësin me telefon ose duke verifikuar adresën e tyre përmes policisë”. Sipas autoriteteve, lëvizja pa viza nuk ofron të drejtën për të kërkuar azil në asnjërin vend të zonës Shengen. Abuzimet me lëvizjen e lirë, përveç gjobave financiare, do të rezultojnë edhe me dëbim apo ndalim të hyrjes në zonën Shengen deri në 5 vjet.
Republika e Kosovës, ishte vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e së cilës nuk mund të lëviznin lirshëm në zonën Shengen. Komisioni Evropian, qysh në vitin 2018, kishte konfirmuar disa herë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por, ishin disa vende anëtare të BE-së që vazhdimisht shprehnin rezerva./DW