Për shkak të çmimeve të larta qytetarëve u duhet të bredhin nga njëri në raftin tjetër duke kërkuar vetëm produktet e domosdoshme, pasi nuk arrijnë që të mbushin qeset e tyre të pazarit me të gjitha gjërat që u nevojiten, shkruan Alsat.
Qytetarët thonë se rritja e çmimeve po bëhet me ritëm të pakontrolluar.
“Ja bosh, shumë gjëra duhet të marrim, asgjë nuk kemi futur në torbë. As në treg të gjelbër, as në markete, as për veshmbathje, asgjë nuk merret vesh. Po më veshmbathjen e kemi harruar, shikojmë të bëhemi idare. Shtrenjtë janë, lëshojnë nga 2-3 denarë derisa të kalojë kontrolli, ne nuk jemi budalla, pasi të dalin këto përsëri i rrisin çmimet, se di si e kanë marrëveshjen”, u shpreh një qytetare.
“Çmimet janë të rritura nuk është në bazë të ekonomisë, … Nuk është ajo që e thonë politikanët, për vete i kanë rritur pagat për 78 për qind… Qumështi 70 denarë, tjerat 70 denarë, të gjitha paketimet që janë ka ndryshuar puna…..Çmimet janë rritur pa kontroll, nuk ka shteti kontroll, institucionet flenë, shkon kontrollon se si kalon aty ajo, punë e tyre është….”, u shpreh një qytetar.
“Shumë valla janë të larta, njeriu që s’ka me social me 4 muaj që s’kan marrë çfarë të bëjmë…. Ja dy bukë i mora dhe një ashtu…Buka 44 denarë ishte, 2 bukë 88 denarë, nuk e di çfarë të them çmimet e larta….”, u shpreh një qytetare tjetër.
“Është rritur mjaftueshëm çmimi edhe pagat janë rritur por do të ishte mirë me përqindje të jenë pagat më të larta”, tha një qytetare.
Sipas të dhënave të fundit të Entit Shtetëror të Statistikave, në muajin korrik shporta konsumatore ka arritur në 48 800 denarë. Ndërkohë sipas të të dhënave të Lidhjes së Sindikatave shporta e konsumit në gusht ka shënuar rritje të dukshme duke arritur në 49 345 denarë. / Alsat.mk