RA KY MORT E U PAMË

ina-online
ina-online

19/08/2023

shkruan: Vebi Bexheti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti erdhi e shkoi, ndërsa vlerësimet, spekulimet dhe muhabetet mbetën. Ardhja e tij ishte qëllimmirë, paqësore dhe assesi provokuese e armiqsore. Vlerësimi i ngutshëm dhe i pamatur i shumë politikanëve maqedonas, si atyre të pozitës, ashtu edhe të opozitës, se vizita e tij ishte skandaloze, me prapavijë politike dhe me synime për Shqipërinë e Madhe, ishte vet skandaloze e llojit të vet.

Nuk habit fakti se pjesa dërmuese e klasës politike maqedonase, me këtë rast e shprehu haptazi atë që e ndjen, por që nuk e shprehin në vazhdimësi, gjithsesi për interesa dhe përfitime politike, përmes pjesëmarrjes në qeverisjen e vendit, të bindur se pa shqiptarë asnjëri krah politik i tyre, nuk mund ta formojë qeverinë, e as VMRO-DPMNE, që e injoron këtë fakt, me bindjen se do i fitojnë mbi 61 deputetë dhe kështu do mund të qeverisin pa shqiptarë të organizuar politikisht.
Në tërë këtë maskaradë, ai që më pak kishte nevojë të shprehet kundër Albinit dhe vizitës së tij në Maqedoni, ishte Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, nga icili as që pritej nga shqiptarët se do mbajë anën e forcave destruktive, meqë deri më tani është përpjekur të mbetet më i ekuilibruar në raport me shumë të tjerë, për raportet ndëretine, siç janë ato maqedonase-shqiptare, madje duke deklaruar në një rast se nuk është kundër heqjes nja Kushtetuta “Nëzet përqindëshin, që nënkupton gjuhën shqipe. Ai, jo që nuk ishte më i përmbajtur se të tjerët, mbase një qëndrim të tillë neutral ia mundëson pozita që mban, por përkundrazi, nuk mblodhi forcë, që së paku të jetë i paanshëm, e jo të shprehet më ashpër se të tjerët lidhur me vizitën e Kryeministrit të një shteti fqinj e miqësor, siç ëdhtë Kosova.
Ashtu si të gjithë presidentët e mëparshëm të këtij shteti, që nga koha kur Zgjedhjet presidenciale bëhen nga vota e drejtpërdrejtë e qytetarëve, edhe Zoti Pendarovski, pa votat e shqiptarëve, nuk mund të bëhej udhëheqësi numër një i Maqedonisë së Veriut.

Ai edhe duke e ditur këtë fakt, në reagimin e vet, me rastin e vizitës së Zotit Kurti, përmes retorikës së papërmbajtur, i nëpërkëmbi edhe ndjenjat e gjithë shqiptarëve, kur shprehu mospajtim me riemërtimin e një rruge të Çairit, nga “Brigada e Dytë maqedonase”, në “Adem Demaçi”, që njëherit ishte edhe qëllimi i ardhjes së tij, pas ftesës që i bëri Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu.

Figura e Adem, Demaçit, simbolit të rezustencës dhe frymëzuesit të rinisë shqiptare dhe shqiptarëve në përgjithësi, që veproi që në rininë e tij, madje, që nga koha e ish Federatës Jugosllave, kur vepronte kryeudbashi Rankoviq, duhet të respektohet edhe nga të tjerët, madje është nderë për Maqedoninë e Veriut, maqedonasit dhe gjithë të tjerët, që një rrugë e kryeqytetit të tyre të mbajë emrin e njeriut që vuajti plot 28 vjet burg për liri e demokraci, e që u shpërblye me çmimin “Saharov”, më të lartin pas atij të “Nobelit”.

Ashtu si Presidenti Pendarovski, edhe liderët partiakë, Kovaçevski, Mickovski dhe individë e analistë të ndryshëm, përveç reagimit për emërtimin e rrugës me emrin e Mandelës së Evropës, edhe pse me procedurë të rregullt, ashpër e kritikuan edhe “ikonografinë provokative nacionaliste”, që kinse paska promovuar ide shoveniste për Shqipërinë e madhe.
Ka kohë që broçkulla të këtilla nuk kishim dëgjuar, por ja që vizita e Kryeministrit të Kosovës në komunën e Çairit dhe të Tetovës dhe fjalimet e tij, nxorën në sipërfaqe urrejtjen e disa qarqeve shoveniste maqedonase, pa asnjë arsye.
Nuk është e vërtetë se mungonte flamuri i shtetit, Maqedonisë së Veriut. Ai bashkë me ate kuq e zi të shqiptarëve, dhe të dy komunave, Çairit dhe Tetovës valëvitej në shtizat para selive nikoqire, si dhe në zyrat e kryetarëve, Visar Ganiut dhe Bilall Kasam. Mungesa e flamurit të shtetit në tubime private të shqiptarëve, siç ishte edhe koncerti madhështor në sheshin e Tetovës, qoftë edhe me fjalimin paqësor të Albin Kurtit, para mijëra e mijëra të pranishëmve, nuk duhet ta brengos askend, mbase në tubime të kësaj natyre, edhe në praktikat e gjertanishme, përfshirë edhe ato elektorale, përdorej vetëm flamuri kombëtar, ku në shumë raste, ekzekutohej edhe Hymni i shqiptarëve, me tekstin e shkruar nga poeti i madh, Asdreni.

Kjo ndodh kështu sepse shqiptarët, kudoqofshin ato, Flamurin dhe Himnin kombëtar i ndjejnë shpirtërisht, duke i konsideruar si simbole përbashkuese identitare të shqiptarëve të shpërndarë në disa shtete të Gadishullit ilirik.
Për sa i përket mosekzekutimit të Himnit të shtetit, që i përjashton shqiptarët, pala maqedonase as që duhet të pres ndonjë lojalitet nga ta, përderisa në tekstin e atij himni nuk përfshihen shqiptarët, me mbi 30 përqind e popullatës së përgjithshme të këtij vendi.

Kërkesat e shqiptarëve për ta ndryshuar këtë himn përjashtues, janë të kahmoçme, por ky zë, si duket edhe gjatë kohë do shkojë në vesh të shutdhër të palës maqedonase. Në koncertin festiv të Tetovës, paska valuar njē flamur me hartën etnike të Shqipërisë. Edhe kjo dukuri nuk ëdhtë e re në këto hapësira. Një flamur i këtillë fluturoi para disa viteve edhe mbi kokat e publikut dhe lojtarëve në ndeshjen futbollistike mes Shqipërisë dhe Sërbisë, në Beograd, ngjarje kjo për të cilën u çua shumë pluhër edhe pse nuk u bë Shqipëria e madhe.

Të këtilla harta me ikonografi që simbolizojnë Maqedoninë e madhe, e që shtrihen deri në Detin Egje shohim shpesh edhe në tubime të ndryshme të maqedonasve, bashkë me flamurin, e diellit gjashtëmbëdhjetë cepash, të hequr nga përdorimi përshkak të kërkesës së Greqisë, por assesi të bëhet Maqedonia e madhe, aq e ëndërruar.

Përveç retorikës me përmbajtje destruktive të shumë politikanëve maqedonas dhe të tjerëve, që u involvuan në vizitën e Kryeministrit të Kosovës, pati edhe të tjerë, që nuk mendonin ashtu. Opinionisti e analisti i njohur për rrethanat e kohës, Arsovski, mendon se kjo ikonografi, si e shqiptarëve, ashtu edhe e maqedonasve, është vetëm folklorizëm ballkanik që tanimë nuk paraqet ndonjë rrezik për rajonin. Ai madje i theksoi edhe manifestimet e natyrave të ndryshme të maqedonasve përmes këngëve nacionaliste dhe hartës, që përfshinte Selanikun dhe Alkidikin e Grqisënë së sotme.
Po t’i analizojmē këto fenomene të shprehjes verbale dhe vizuele të reklamimit të këtyre hartave, si nga shqiptarët ashtu edhe nga maqedonasit, do shohim se fajtorë kujdestarë për këta veprime, që dënoheshin, ishin vetëm shqiptarët, praktikë kjo që për fat të keq funksionon edhe sot e kësaj dite.

Rasti i fundit, kur i riu në koncertim e Tetovës valëviste një flamur të shtrirjes etnike shqiptare, bashkë me figurat krysore të pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit, na përkujton kohën, kur autoritetet e UDB-së, specialistë për analiza identifikuese, punonin natë e ditë në laboratore, për identifikimin e pjesëmarrësve në demonstratat e rinisë shqiptare dhe jo vetëm, për të drejtat e tyre. Gjurmëve të identifikimit të këtij të riu, që mbante një hartë të këtillë, u angazhua e tërë polcia e Tetovës, që sipas autoriteteve, suksesi u arrit, meqë mes turmës u zbulua portreti i pastër i këtij të riu “të rrezikshëm për shtetin”. Thirrja e autoriteteve policore, drejtuar qytetarëve, që ta ndihmojnë procesin e identifikimit të këtij personi, sikur ai të ishte vrasës serik, a nuk është i turpshëm dhe jashta kohës për një shtet demokratik, që e synon BE-në?

Për të njëjtën “vepër” dhe mospërdorim të simboleve shtetërore në tubimet e Tetovës dhe Çairit, policia ka denoncuar për kundërvajtje edhe dy krerët e këtyre komunave, që si dënim duhet të paguajnë një shumë të caktuar parash.
Autoritet maqedonase të pushtetit dhe opozita e tyre, e dinë se nuk mund të bëhen shtetet e mëdha aq lehtë, me një valëvitje të një flamuri, por ata më së shumti i u dogji pjesa e fjalimit të Albin Kurtit, kur Maqedonisë i bëri thirrje që të afrohet sa më shumë me Kosovën, Shqipërinë dhe Bullgarinë, e të qëndrojë më larg Sërbisë, sepse vetëm kështu rrugën për Bashkimin evropian do e kenë më të shkurtër.

Një apel i këtillë i Kurtit për bashkëveprim politik në rrugën integruese evropjane me Bullgarinë “problematike”, me kontekste ende të pazgjidhura historike mes maqedonasve dhe bullgarëve, dhe me dy shtetet shqiptare, Shqipërinë dhe Kosovën, për një pjesë të popullatës maqedonase, me disponim prosërb, anti BE, e me sytë kah Rusia, është e papranueshme, dhe përzierje në punët e brendshme të vendit, fakt ky që reflektoi dhe u dëshmua edhe në mosvotimin për ndryshimet kushtetuese në seancën e Parlametit të Maqedonisë së Veriut, të 18 gushtit.
Vizita e Kryeministrit të Kosovës, u realizua me ftesën zyrtare të dy krerëve të komunave me shumicë shqiptare, Çairit dhe Tetovës, me rastin e inaugurimit të emërtimit të një rruge me figurën e Adem Demaçit dhe të riafirmimit të projektit ndërqeveritar të rrugës Tetovë -Prizren.

Dy fjalimet e Kurtit, në Shkup dhe Tetovë ishin paqësore, integruese shumë korrekte, dhe me retorikë në ineres për të dyja shtetet fqinje, e jo ashtu si spekulon dhe fantazon Vuçiqi, sipas të cilit Albin Kurti nuk do ndalet edhe në të ardhmen për realizimin e Shqipërisë së Madhe, madje, sipas tij, ai po të ishte më i fortë, do e sulmonte Sërbinë qëndrore (Kështu e konsideron Sërbinë pa Kosovën), Maqedoninë e veriut, madje, madje edhe Shqipërinë? Çfarë deklarate monstruoze, që për çdo njeri normal, qofshin edhe politikanë, qeveritarë e opzitarë të Maqedonisë së Veriut, apo edhe individë e grupacione nga shoqëria civile, duhet konsideruar skandaloze, e çmenduri, e jo të përkrahet edhe pse tërthirazi, siç vepruan një numër i madh faktorësh politikë, apo edhe individë, këtu në shtetin e përbashkët, që pretendon të jetë i barabartë për të gjithë.

Sidoqoftë, nga kjo vizitë qëllimmirë e Kurtit, përveç tjerash, dolën në shesh të palarat e politikës, që nuk i shërben bashkëketesës, mes dy komuniteteve me të mëdha, maqedonasve dhe shqiptarëve, prandaj mu duk e arsyeshme që titulli i këtij shkrimi të jetë shprehja frazeologjike RA KY MORT E U PAMË !

TË FUNDIT

ME TE LEXUARA

LEXO MË SHUMË

Xhelal Zejneli

SHQIPTARËT DHE ORIENTIMI I TYRE

menduh thaci ali ahmeti

Paqja mes BDI-së dhe PDSH

KALOSH-CELIKU

PLAKAT VIJNË PARA PRANVERËS

MUHAMED-HALILI

Të gjitha preambulat e Maqedonisë: si u cunguan të drejtat e shqiptarëve?

dijana toska

Kauza fetare parazgjedhore!

Shaban Murati

Sovranistët e leshit

medai-shaholli

Edhe dy titistë të rinj shqiptarë nga SDSM-ja, kandidatë për deputetë!

Refik-HASANI

Serbia, përmes rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, përgaditet për luftë

Naser Pajaziti

Kush e solli Rusinë?!

INFO

NA NDIQ