Rama dhe Kurti sot u qeshën, u përqafuan, u pajtuan a nuk u pajtuan!

Naser Pajaziti

Rama dhe Kurti sot u qeshën, u përqafuan, u pajtuan a nuk u pajtuan!

Por, për çudi asnjë fjalë nuk thanë për shqiptarët e tre komunave të lëna pasdore: Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë, që kanë ngelur të boshatisura dhe ditë për ditë po përjetojnë goditjet e rënda të diskriminimit dhe spastrimit nga tokat e tyre.

Ku është reciprociteti dhe çfarë “Open Balkani” , kur shqiptarët e këtyre komunave, Serbia po i dëbon çdo ditë, përmes një plani të heshtur institucional të ‘tokës së djegur’ përmes shlyerjes së tyre nga dokumentet zyrtare, që nënkupton dëbim, përvetësim dhe pushtim të tokave e shtëpive të tyre.

Por çka po bën Serbia për serbët në Kosovë?!

Në bazë të statistikave zyrtare, Serbia në 2020, për serbët në Kosovë dhe strukturat paralele ka ndarë 89 milionë euro. Rreth 63.7 milionë euro janë planifikuar për Zyrën për Kosovën të Qeverisë serbe, dhe pjesa më e madhe e fondeve janë shpenzuar për strukturat paralele apo “organet e përkohshme” të shtetit serb në Kosovë, të cilat Kosova nuk i njeh dhe të njëjtat, sipas marrëveshjes midis Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel, duhej të integroheshin në institucionet e Kosovës.

Miliona euro në arsim (shkollat fillore dhe të mesme nëpër komunat e banuar me serb, si dhe Universitetin serb në Mitrovicë). 237,000 euro për “mbështetjen e promovimit e inovacionit” nga serbët në Kosovë.

Mbi 100 mijë euro për informim për serbët si struktura paralele si dhe afër 1 milion për “mbështetjen e klerit dhe manastireve në Kosovë”.

Por janë edhe Kroacia, Hungaria dhe shtete tjera fqinje që përkujdesen në çdo kohë dhe nga buxhetet vjetore ndajnë miliona për bashkëkombasit e tyre jashtë kufijve.