Rama flet se si u sigurua vaksina dhe si do të jetë skenari me vaksinimin

Qeveria shqiptare ka firmosur për 500 mijë vaksina anti-Covid me Pfizer dhe ka lënë mundësinë për të tjera në rast se nuk do të mund të sigurohen nga kompani të tjera.

Kryeministri Rama teksa prezantoi marrëveshjen në Kuvend, tha se kjo është një vaksinë shumë e shtrenjtë ndaj dhe qeveria ka preferuar të mos nxitohet.

“Sot Kuvendi do të votojë për finalizimin e marrëveshjes me kompaninë Pfizer për sjelljen në Shqipëri të masës së parë të vaksinave. Kemi dakordësuar me Pfizerin për 500 mijë doza dhe në kontratën e nënshkruar pak më parë, pas një negociate jo të lehtë, është marrë parasysh edhe nevoja potenciale e mëtejshme. Qëllimi ynë ka qenë që të sigurojmë fillimisht një sasi vaksinash për një pjesë të procesit të vaksinimit duke pasur parasysh raportin e sasisë me kalendarin e pkanit kombëtar të vaksinimit dhe duke mos harruar që janë një sërë vaksinash të tjera qoftë ato që presin me ditë aprovimin, qoftë vaksina AstraZeneca që është aprovuar në Mbretërinë e Bashkuar dhe pret aprovimin në nivel europian. Qoftë edhe vaksinat që janë në dalje e sipër. Do të ishte e nxituar dhe e gabuar që të kontraktonim menjëherë të gjithë sasinë e vaksinave duke pasur parasysh dhe çmimin që është fiks dhe i panegociueshëm por duket pasur parasysh dhe procesin e vaksinimit që është me dy doza dhe një sërë elementësh të tjerë sigurie.Kjo vaksinë ka shtrenjtësi në raport me të tjerat. Me Pfizer kemi siguruar akses për doza të mëtejshme në rast se kështu do të gjykohet në vijim nga ana tjetër i kemi lënë vetes hapësirë për të bërë zgjedhjet e duhura në kohën e dukur me potencialisht vaksina të tjera. Jemi në negociata të vazhdueshme dhe komunikime të vazhdueshme qoftë me kompanitë ashtu dhe me një sërë shtetesh të tjera. I gjithë procesi i shpërndarjes së vaksinës është shumë më i ndërlikuar nga sa duket”, tha kryeministri shqiptar.

Ai u shpreh se vaksinimi do të ketë tre skenarë, që fillojnë nga 14 muaj deri në 24 muaj.

“Vaksinimi ka 3 skenarë. Skenari me ambicioz është vaksinimi i të gjithë kategorive dhe moshave që përfshihen në planin e vaksinimit brenda 14 muajsh. Skenari tjetër ka një agjendë 18 mujore dhe ai i treti 24 mujore.

Ne do të bëjmë gjithçka për të shkuar për të shkuar sipas skenarit të parë. Me votimin sot në Kuvend, hapet rruga për të marrë sipas marrëveshjes së dakordësua në parim, doza e parë do të vijë javën e tretë të janarit dhe pastaj shkallë-shkallë do të marrim sasinë e dakordësuar. Mund të porosisim edhe doza të tjera me marrëveshjen e firmosur nga të dyja palët.

Pfizeri bëri një deklarim publik që ka krijuar shumë pakënaqësi gjerësisht me shtyrjen me një javë të gjithë angazhimeve të veta me vendet ku është angazhuar për të rritur prodhimin dhe për të krijuar kushte që të rritet ky prodhim duke bërë një frenim të përkohshëm për shkak të infrastrukturës. Nga ana jonë ne jemi tërësisht të përgatitur”, theksoi kryeministri shqiptar.