Kryeministri Edi Rama edhe pse nuk ishte i pranishëm në panairin e verës që u mbajt ditën e djeshme në Serbi në kuadër të Open Balkan, ka zgjedhur që të dërgojë një videomesazh për të pranishmit dhe Presidentin serb Aleksandër Vuçiç.
Panairi i verës u mbajt për herë të parë vitin e kaluar, si një nga pikat e nismës Ballkani i Hapur, nisëm të cilën Rama këtë vit e quajti të mbyllur.
Një muaj më parë Rama në Tiranë priti Procesin e Berlinit dhe nismën Ballkani i Hapur e konsideroi vetëm si një mjet që i shërben Procesit të Berlinit dhe se e ka kryer punën e tij. Por mesa duket kjo nuk është kështu, pasi ditën e djeshme Rama ka dërguar një videomesazh në Serbi për të pranishmit në panairin e verës. Ajo që e bën më dyshuese këtë fakt është se kjo mesazh është mbajtur i fshehur nga mediat shqiptare.
Rama në videomesazhin dërguar Serbisë theksoi se në rajon duhet që të ndërtohen ura bashkëpunimi ku fëmijët të jetojnë se bashku ne paqe. Po ashtu Rama shtoi se prania e presidentit të ri malazez Milatoviç në këtë event dëshmon natyrën konstruktive e gjithëpërfshirëse të kësaj iniciative,
“Miqtë e mi të dashur do të kisha dëshiruar që të isha me ju në këtë event ku veçanërisht dua që të falenderoj për praninë e tij presidentin e ri malazez. Prezenca e tij dëshmon natyrën konstruktive e gjithpërfshirëse të iniciativës sonë. Shtetet e rajonit duhet të ndërlidhen dhe në të ardhmen të ndërtojë marrëdhënie të mira fqinjësore në një vend ku të gjithë të jetojnë së bashku. Ne kemi mësuar se ndarjet e së kaluarës mund të pengojnë të tashmen dhe të ardhmen e Ballkanit Perëndimor. Jam i bindur se e ardhmja jonë duhet të jetë e ndryshme nga e kaluara dhe e tashmja. Pyetja nuk është nëse, por kur. Unë jam i përkushtuar që të jap kontributin tim për këtë qëllim. Shtetet e Ballkanit Perëndimor janë krijuar për të ekzistuar krah për krah ndaj ky rajon duhet transformuar për gjeneratat e reja. Të nderlidhim vendet tona me botën, por të mos lidhemi me njëri-tjetrin është dritëshkurtër. Le të mësojmë nga gabimet e të tjerëve dhe të mos i përsërisim ato. Le të punojmë së bashku dhe ta kthejmë rajonin në një vend ku fëmijët tanë do të jetojnë së bashku,” mësohet se ka thënë Rama në videomesazh.
Në muajin korrik të këtij viti Rama deklaroi se nisma Ballkani i Hapur e kreu misionin e saj për të cilën u krijua dhe se tashmë duhet që të fokusoheshin te Procesi i Berlinit. Sipas Ramës nismës Ballkani i Hapur, i ka ardhur fundi prandaj duhet që e gjithë vëmendja të jetë te Procesi i Berlinit.
“Ndërkohë që duhet të merremi me këtë, natyrisht që Procesi i Berlinit është aksi ynë kryesor. Ballkani i Hapur ishte një iniciativë që lindi nga nevoja për ta shtyrë përpara Procesin e Berlinit dhe e ka kryer atë mision për të cilin lindi. Ne duhet të futemi me kokë tani në Procesin e Berlinit sepse e kemi këtë mundësi, e kemi Procesin e Berlinit në Tiranë. Kemi mundësi ta zotërojmë si proces me mbështetjen e madhe që kemi nga Gjermani, nga kancelari Scholz dhe nga gjithë të tjerët dhe në ndërkohë e kuptoni se çfarë do të thotë? Tetori erdhi, korriku hyri, si mundet ne ta mbajmë të bashkuar Bashkimin Europian? Se jo të gjithë aty janë të vëmendshëm, jo të gjithë aty e kanë interesin që kanë këta kryesorët për të na mbështetur ne, për të mbështetur Ballkanin Perëndimor,” tha Rama në korrik.