Rama furtunë në qeveri para vendimit të negociatave, të rrezikuar disa ministra e zv/ministra

0

Shtatori pritet të sjellë tërmet në qeverinë shqiptare. Burime të sigurta të gazetës kanë bërë me dije se kryeministri Edi Rama po përgatitet për të bërë ndryshime në qeveri. Lëvizjet që ndodhën në dhjetorin që lamë pas, nuk është se kanë dhënë ndonjë rezultat shumë të mirë dhe për këtë arsye pritet të ketë emra të rinj në kabinetin qeveritar. Disa prej ministrave aktualë, shefi i qeverisë ua bëri të ditur qysh në dhjetor se fati i tyre do të varet nga zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Por duke qenë se në këto zgjedhje pjesëmarrja nuk ishte shumë e madhe, pritet që këta ministra të preken nga ndryshimet në qeveri. Një tjetër arsye që tregon se në vjeshtë do të kemi ndryshime në qeveri janë negociatat. Bashkimi Europian e shtyu për në muajin tetor vendimin për Shqipërinë, sa i takon hapjes ose jo të negociatave. Kështu që, burimet theksuan se Rama pritet që të bëjë “kurban” disa prej ministrave në këmbim të çeljes së negociatave. Me këtë lëvizje, i pari i qeverisë kërkon t’i tregojë BE-së se ai po punon fort për të çuar përpara reformat e kërkuara nga Brukseli. Kështu që, përmes këtyre ndryshimeve jo vetëm që i jep energji të reja ekzekutivit, por edhe reformave integruese dhe shtetformuese.

Të rrezikuar disa ministra e zv/ministra

Të njëjtat burime theksuan se “furtunës” së ndryshimeve nuk kanë për t’i shpëtuar as zv/ministrat. Mësohet se janë të rrezikuar disa zëvendësministra, të cilët pritet të shkarkohen, duke iu hapur rrugë emërimeve të reja. Po ashtu, mësohet se gjatë Asamblesë së Partisë Socialiste pritet të merren vendime edhe për disa drejtorë dhe krerë degësh të PS, të cilët pritet të preken nga furtuna e reformës. Sinjali i parë u dha pak ditë më parë, ku u shkarkua Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Enton Duro. Ndërsa për disa krerë degësh dhe Organizatash Socialiste, sipas informacioneve, mësohet se si justifikim për t’i shkarkuar do të jetë rezultati jo i kënaqshëm që ato korrën në zgjedhjet e 30 qershor.

“E rrezikuar” ministrja e Drejtësisë

Por një ndër ministrat që rrezikon të shkarkohet është ajo e Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Sipas informacioneve, mësohet se shkak është bërë publikimi i dekretit të Presidentit Ilir Meta, sa i takon anulimit të zgjedhjeve të 30 qershorit. Sapo u publikua dekreti në Fletoren Zyrtare, në politikë pati shumë tensione, kjo pasi opozita e përdor si kartë në betejën e saj kundër qeverisë, duke qenë se dekreti ka hyrë në fuqi. Mirëpo, botimi në Fletoren Zyrtare të dekretit të Metës, nuk është e vetmja arsye që mund t’i kushtojë postin zonjës Gjonaj. Mësohet se justifikimi që Rama mund të përdorë për ta shkarkuar Gjonajn nga posti i ministres së Drejtësisë është shkelja e ligjit që ajo ka bërë me publikimin e dekretit të kreut të shtetit në Fletoren Zyrtare, pasi ai kurrsesi nuk mund të publikohet. Madje, këtë konstatim se ka shkelej të ligjit me publikim e dekretit e paralajmëroi pak ditë më parë edhe ish-zëvendësministri i Drejtësisë, Arben Isaraj. Përmes një statusi në rrjetet sociale, Isaraj mes të tjerash theksonte se Kushtetuta nuk e thotë se dekreti i Presidentit duhet të botohet në Fletoren zyrtare. “Kushtetuta në asnjë germë të saj, nuk thotë se Dekreti i Presidentit botohet në Fletoren Zyrtare. As dhe se ai hyn në fuqi kur botohet në Fletoren Zyrtare. Pasi, sipas nenit 117 të Kushtetutës: Ligjet, aktet normative të Këshillit të Ministrave, të ministrave të institucioneve të tjera qendrore marrin fuqi juridike vetëm pasi botohen në Fletoren Zyrtare”, dhe “Shpallja e botimi i akteve të tjera normative bëhet sipas mënyrës së parashikuar me ligj””, deklaroi Isaraj. Megjithatë, mbetet për t’u parë në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.