Në intervistën dhënë për emisionin e Sokol Ballës në Vizion+, kryeministri Edi Rama pranoi se në negociatat me palën greke është diskutuar edhe për “çështjen çame”, por sipas tij ajo nuk mund të quhet në këtë mënyrë pasi për ta kjo përkthehet në “synim territorial”.
Pas deklaratës së Kotzias se pala greke nuk pranon një “çështje çame”, Rama thotë se është folur në këtë drejtim, por në interes të të drejtave të qytetarëve çamë, përfshi këtu pronat e tyre (në aspektin formal dhe ligjor) si dhe të drejtat e tyre formale, mundësinë për të kujtuar tragjeditë e ndodhura si dhe ndryshimin e sjelljes aspak normale të autoriteteve greke me këtë popullsi.
“A do të ketë diçka të shkruar për çështjen çame? A do të ketë një monument të viktimave të “çështjes çame” në atë territor, që tashmë është tokë e Greqisë…?!” – janë pyetje që Rama nuk u dha një përgjigje të qartë duke i mëshuar fjalisë se “çështja është ende në negociim”.
“Çamët! Këtu ne flasim për “shtetas shqiptarë” të cilët kanë një të kaluar dhe kanë mbrapa në histori, prona në shtetin grek.
Flasim për këta “shtetas shqiptarë” që për shkak të prejardhjes së tyre pengohen që të lëvizin lirisht.
Flasim për shtetas që me të drejtë kërkojnë përkujtim. Ne do të punojnë për rikthimin e të drejtave të tyre. Ky është thelbi! Kështu ne gjejmë një rrugë të përbashkët për të zëruar edhe këtë problem.
Do të ketë një marrëveshje më vete për këtë… po shkojmë në një marrëveshje ku do të kemi pikë doganore të përbashkët. Por kjo është një negociatë shumë delikate, por pikërisht për shkak të kazanit, se mos harroni, mediat atje çfarë kujtoni ju, se nuk ka kazanë atje?!” – tha Rama.