Rama: Shqipëria e para në rajon për investimet në bujqësi, kemi kaluar edhe Serbinë

Për kryeministrin Edi Rama Shqipëria është e para në rajon për para të investuara në sektorin e Bujqësisë. Këtë deklaratë Rama e bëri nga Universiteti Bujqësor i Tiranës ku u ndal tek programi për naftë falas nga i cili tha se kanë përfituar 20 mijë fermerë.

Rama u shpreh se në katër vitet e ardhshme Shqipëria do të shkojë në kufirin e 1 miliard eksporteve bujqësore, nga 400 që është sot, ndërsa shtoi se do të bëhen përpjekje për të rritur interesin e të rinjve për Universitetin Bujqësor, i cili deri më sot sipas tij, është parë me paragjykim.

“Menduam se është e rëndësishme ta ndajmë atë q është bërë edhe për të rritur më tej besimin dhe ndjeshmërinë ndaj këtij procesi që siç e tha dhe zotëria që foli si fermer në fillim u pa me shumë mosbesim. Nuk mund të shihej ndryshe përderisa kjo ishte kërkesë e kahershme. Por ne themi që atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi dhe në rast se jo gjithmonë arrijmë që atë që duam të bëjmë e bëjmë aq shpejt në kohë sa dëshirojmë, nuk do të thotë se harruam. Më vjen mirë që kemi disa prova të prekshme në këtë proces. 20 mijë fermerë kanë përfituar nga procesi.

Sistemi i shpejtë dhe transparent i krijuar nga E-Albania funksionon për këdo që dëshiron të punojë dhe këdo që beson te ky sistem pavarësisht nëse është në qytet apo fshat. Kemi provën se në pak minuta me vetëm një dokument mund të aksesohet fondi i naftës pa akcizë dhe pa taksë karboni. Besoj shumë që UBT është një nga pikat më strategjike ku projektohet zhvillimi i vendit, ku jepet dija për një sektor që do shkojë duke u zhvilluar.