Kryeministri Edi Rama njoftoi sot në një dalje të posaçme për media se Qeveria do të hedhë për diskutim të gjerë në shkolla dhe mes prindërve opsionin për mbylljen e TikTok-ut dhe Snapchat.
Përballë kësaj alternative qeveria vë mundësinë për të vendosur një kufizim moshe për përdorimin e rrjeteve sociale nga të rinjtë.
Rama pohoi se anonte më shumë nga mbyllja e këtyre rrjeteve kur tha:
“Dilema jonë si qeveri është nëse duhet të provojmë edhe ne të ecim në drejtim të vendosjes së filtrave, kur në fakt efektiviteti i tyre është i ulët ndërsa stimujt e dhunës dhe bullizmit vetëm rriten, apo të ndërmarrim një masë drastike, për mbylljen e plotë të TikTok-ut dhe Snapchat.”
Njoftimi i Ramës erdhi pasi ai pohoi faktin se rrjetet sociale po kthehen në një ekspozim të madh për dhunë dhe bullizimin te fëmijët dhe adoleshentët duke vënë në rrezik jo vetëm jetën e tyre, por duke sjellë edhe ngjarje tragjike si ajo e vrasjes së 14-vjeçarit në Tiranë.
“Prej tre ditësh i madh e i vogël është tronditur nga vrasja makabër e një nxënësi 14 vjeçar nga një tjetër adoleshent. E gjithë dinamika nxjerr në pah kërcënimin permanent ku TikTok apo Snapchat përthithin përditë fëmijët që në moshat më të vogla.
Autoriteti i prindërve apo mësuesve sfidohen orë e çast nga bota paralalele e këtyre rrjeteve ku nuk ka asnjë filtër, e deri ku dhe shëndeti mendor vihet në pikëpyetje.
Këto janë të vërteta që nuk është e vështirë të biem dakord. Garantimi i sigurisë së fëmijëve është përparësia e përparësive tona.
Jemi angazhuar në hulumtimin e kësaj problematike. Shumë shtete po përpiqen të vendosin filtra mbrojtjës, por pa rezultat. Austria dhe Franca po diskutojnë vendosjen si kusht, aprovimin e prindërve për hapjen e një llogarie online të fëmijëve.
Por tej këtyre përpjekjeve, porblemi ende i hapur mbetet mungesa e një sistemi të zbatimit të tyre.
Dilema jonë si qeveri është nëse duhet të provojmë edhe ne të ecim në drejtim të vendosjes së filtrave, kur në fakt efektiviteti i tyre është i ulët ndërsa stimujt e dhunës dhe bullizmit vetëm rriten, apo të ndërmarrim një masë drastike, për mbylljen e plotë të TikTok-ut dhe Snapchat.
Do ta hedhim për diskutim të gjerë publik”, tha Rama.