Rama: Kush i prek zgjedhjet do të digjet nga SHBA e BE

0

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, paraljmëroi mbështetësit e opozitës se do të përballen me ligjin nëse tentojnë të dëmtojnë procesin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.

Madje Rama i ka dhënë vetes të drejtë edhe të flasë në emër të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian.

“Nuk ia vlen të digjesh për politikën më kriminale të mundshme që të nxit të shkosh me këmbët e tuaja në duart e drejtësisë por që mund të fusë edhe në listën e zezë, të të dënuarve për krimet zgjedhore që do u hiqet përgjithmonë e drejta e hyrjes në SHBA e BE”, ka thënë Rama në fjalimin e tij para kandidatëve socialistë për kryetarë të bashkive në zgjedhjet e 30 qershorit.

Duke folur nga i njëjti vend, ku dy vite më parë u hartua marrëveshja mes tij dhe lideri demokrat Lulzim Basha, krysocialisti ka pranuar se pakti i vitit 2017 nuk ka funksionuar.

“Ajo marrëveshje nuk funksionoi dhe asnjë marrëveshje nuk funksionon, sepse PD-ja ka ndërruar qime, por jo zakon, dhe kuptohet zakoni është Saliu që nuk ndërron as qime, ndërsa Lulzimi është qimja që nuk bëhet dot zakon”, është shprehur Rama, citon OraNews.tv.

Ai ka deklaruar përsëri se është i hapur për dialog, por pa hequr dorë nga posti i Krymeministrit dhe pa ndryshuar datë të zgjedhjeve lokale të caktuara për 30 qershor.

“Jam gati të ulem me Lulzim Bashën në çdo moment. Kushte nuk kam. Unë nuk i iki kësaj detyre, sepse e kam nisur së bashku me ju një luftë që s’ka shans ta lë në mes”, ka thënë Rama.

Ai ka drejtuar akuza shumë të ashpra në adresë të Sali Berishës, të cilin e ka akuzuar se “ka frikë nga drejtësia”.

“Janë boll 30 vjet që i njëjti lider politik, në krye të së njëjtës parti, i cili si President i Republikës e dogji Shqipërinë, duke e çuar në buzë të luftës civile, si shef i opozitës e dogji Kryeministrinë, duke e sulmuar me antitank e me kallashnikov, nën synimin e verbër për të vrarë shefin e qeverisë dhe për të marrë pushtetin me dhunë, si kryeministër vrau dhe plagosi me armë zjarri protestues që armët e tyre më të rrezikshme i kishin ristelat e pankartave të protestës, të vazhdojë sot të kërcënojë përsëri, me zjarr e flakë këtë popull, nga tmerri se mund t’i vijë më shpejt fletëthirrja e drejtësisë, sesa bileta e takimit me Shën Pjetrin”, ëashtë shprehur Rama.

Ai ka thënë se, pas zgjedhjeve të 30 qershorit, vetë demokratët do të kërkojnë largimin e Berishës dhe Bashës.

Rama u ka kërkuar kandidatëve për kryebashkiakë që të dalin në terren dhe të bisedojnë me qytetarët, për t’u shpjeguar përse duhet të marrin pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit.

Gjithashtu, ai u ka kërkuar socialistëve që të mos provokohen nga mbështestësit e opozitës, por të ruajnë qetësinë gjatë fushatës zgjedhore. (r.m.)