Rama-Merkel/ Skenarët e mazhorancës pas takimit

Cilat janë parakushtet që Merkel dhe BE presin të plotësohen dhe cilat janë opsionet e Ramës. Nga arrestimi i “peshqve të mëdhenj” si provë e Reformës në Drejtësi deri te çështja Tahiri, që në çdo rast djeg…

Nga Sebi Alla

Pamja e kryeministrit Rama dhe luhatjet e zërit, ishin më të qarta se vetë konferenca e tij për shtyp, e mbajtur si asnjëherë tjetër në Aeroportin e Rinasit. Kryeministri i ngjante një “pasagjeri” që fluturonte për herë të parë dhe e kishte “turbulluar” keq avioni. Pas vizitës në Gjermani dhe takimit me kancelaren Angela Merkel, erdhi me të paktën tri dilemat që e mundojnë.

Publikisht e konsideroi të suksesshëm takimin në nivelet më të larta në Berlinin zyrtar, por Gjermania nuk i dha një “Po” të pastër për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në në qershor, duke vendosur disa parakushte, që kushtëzojnë fatin e vendit, e madje edhe të qeverisë.

Pika më e nxehtë është çështja Tahiri. Në Gjermani ia bënë të qartë se reforma gjyqësore pa një proces gjyqësor kundër ish-ministrit të Brendshëm, nuk mund të bëhet.

Ky skenar kërkon që kryeministri të çojë deri në fund atë që nisi dy vite më parë me Reformën në Drejtësi. Dhe në këtë kontekst hetimi dhe gjykimi për ish-ministrin e Brendshëm të marrë një drejtim, ndërsa ekzekutivi dhe mazhoranca në këtë rast, ndryshe nga hera e parë ku votoi kundër heqjes së imunitetit, duhet t‘i mbajë duart larg institucioneve të drejtësisë.

Përfundimi i procesit të drejtë do të ishte dhe një përgjigje për kërkesën e BE dhe SHBA dhe si pasojë një provë se Reforma në Drejtësi ka filluar të zbatohet.

Në këtë skenar të parë nuk është vetëm Saimir Tahiri. Merkel dhe Europa në këtë pikë të procesit kërkojnë të shohin akte më shumë se propagandë. Hetimet dhe gjykimet për “peshqit e mëdhenj” majtas e djathtas po sigurisht më shumë majtas janë lejekalimet që hapin derën e bisedimeve me BE në qershor.

Skenari i dytë është se rënia e Saimir Tahirit në rrjetën e drejtësisë, mund ta kthejë atë në “peshkaqen”, që nuk e ka problem të sulmojë e gllabërojë “peshqit” e tjerë…

Ajo që po spekulohet këto ditë ka të bëjë se deri ku mund të shkojnë pasojat e “dorëzimit” pa kushte dhe lënies së drejtësisë të veprojë ndaj ish-ministrit, që dikur nga Rama konsiderohej më i suksesshmin.

Në çdo rast mesazhet e Tahirit javën e shkuar se nuk ka bir nënë dhe bir k… që ta pengojë për të bërë drejtësi ishin qartazi të drejtuara ndaj ish shefit të tij në qeverisjen e 2013-2017. Nxjerrja e djajve nga shishja, mund të shkaktojë tërmet në mazhorancë dhe qeverisje dhe disa media e shohin rrëzimin e qeverisë si fundin e këtij skenari.

Alternativa tjetër është që Rama të mos bëjë asgjë dhe të mbajë pezull këtë situatë, siç ka ndodhur deri tani prej shtatorit, duke shpresuar në një zbutje të BE-së dhe duke këmbëngulur se është një punë e drejtësisë dhe nuk mund të ndërhyjë. Gjithashtu, të shtojë dozat e “fabulës” se nëse Europa na kthen shpinën, atëherë radikalizmi islamik apo Rusia do ndërhyjnë në Shqipëri, e për pasojë turbullohet i gjithë Ballkani. Tentativa për t’i dhënë doza “puçi” këtij procesi se elementë të veçantë në BE, të indoktrinuar nga opozita në Shqipëri, po pengojnë hapjen e negociatave, jo vetëm që nuk i shkoi, por iu kthye shpejt në “bumerang”.

Sulmi, herë i hapur, e herë i kamufluar ndaj Gunther Krichbaum, kryetarit të Komisionit të Bundestagut për Bashkimin Europian, që ishte shprehur hapur kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë ishte një dështim. Disa media në vendin tonë e sulmonin personalisht deputetin gjerman që e cilësonin si pro-rus dhe pro-serb dhe si vegël të opozitës shqiptare.

Në Gjermani shumëçka nuk shkoi ashtu sikurse e priste, sepse ndërkombëtarët tashmë ia kanë lidhur këmbët politikës në tërësi, për aq kohë sa mundën të depërtojnë deri në Kushtetutën e vendit, nëpërmjet reformës në drejtësi. Në çdo rast, Rama ngjan se për momentin është në vështirësi.

E megjithatë, asnjë gëzim nuk mund të ketë nga pjesa opozitare, pasi “lumi” që mund të marrë pjesën e pushtetit, është po aq i vrullshëm dhe “përmbytja” do të prekë edhe krahun tjetër opozitar. Një opsion që qarkullon ndër “idealist” që nuk mund të injorohet është se me një drejtësi të re dhe një ndikim të fortë nga jashtë, gradualisht pjesa e elitës politike të 28 viteve të fundit të tërhiqet, duke shpresuar se dëmi që kanë lënë pas, të mos shlyhet me burg…

A ka ndryshuar qëndrim Rama për “Tahirin”

Në takimin 90-minutësh me kancelaren gjermane Angela Merkel, Rama tentoi të mos e lëshonte veten duke ruajtur një lloj qetësie shtetari, ndonëse të vërtetat e thëna ishin më se të hidhura. “Ekzistojnë një numër parakushtesh për të hyrë në negociatat e pranimit. Shqipëria ka punuar tashmë shumë për disa gjëra. Ekzistojnë disa kushte për fillimin e negociatave të pranimit”-tha qartë karcelarja Merkel.

Ndoshta e lodhur me premtime, liderja jo vetëm gjermane, por edhe europiane, do na mbajë pezull në një kohë të dytë, ndërsa shtoi se “ne do të japim opinionin tonë përfundimtar gjatë disa javëve të ardhshme nëse ka ende gjëra për të bërë, nëse ka progres të mjaftueshëm dhe gjithashtu ta diskutojmë këtë me homologët tanë evropianë”. Këto fraza të akullta, që në hyrje të deklaratës së saj, ishin më se të pastra, duke mos lënë asnjë mundësi nënkuptimi të mesazhit të dhënë. Parakushtet nuk janë bërë publike, por iu thanë haptas Ramës si në takimin me Merkel, ashtu edhe më përfaqësues të lartë të qeverisë dhe Bundestagut.

Ministri i Shtetit për Europën, deputeti gjerman i SPD-së, Michael Roth, në takimin me kryeministrin Rama theksoi se reforma gjyqësore pa një proces kundër ish-ministrit të Brendshëm, Tahiri, nuk mund të bëhet. “Duhet filluar procesi gjyqësor kundër ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri, për të dëshmuar kështu se pavarësia e gjyqësorit me të vërtetë funksionon”, -tha Roth, ndërsa këshilloi mikun Rama se qëndrimi i tanishëm do vlejë edhe për të ardhmen shqiptare. Pikërisht këto janë parakushtet që kryqëzojnë qeverinë tonë, duke i lënë afat që të paktën deri në qershor të jepen shenjat se para drejtësisë do të përfundojnë “peshqit e mëdhenj”.

Kryeministri me veprimin e bërë në tetor të vitit të kaluar, duke rrëzuar kërkesën e prokurorisë për arrestimin e Tahirit, bëri një “vetëvrasje politike”. Lidershipi Rama, nëpërmjet Komisionit Parlamentar të Mandateve, mori rolin e gjyqtarit, duke refuzuar kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për arrestimin e ish-ministrit Saimir Tahiri, i akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Sot Rama, i pyetur nëse do e “lëshojë Tahirin”, ka një përgjigje prej “europiani”, duke deklaruar se ai nuk ka asgjë në dorë të japë apo mbajë Tahirin, pasi çdo gjë varet nga sistemi i drejtësisë, që sipas tij është i pavarur.

Nuk ishte kaq “europian” tetorin e kaluar, kur në mënyrë publike, mbrojti dhe shpëtoi nga prangat ish-ministrin dhe ndërhyri në sistemin e drejtësisë. Një shteg të hapur e ka lënë kreu i qeverisë, si për t’i bërë gjërat në bazë të ligjit. Është shprehur se nëse Prokuroria e Krimeve të Rënda ofron qoftë edhe një provë të vetme shtesë, atëherë do të jepet autorizimi nga Parlamenti për arrestimin e Saimir Tahirit.

Por provat shtesë me një prokurori të trembur nuk mund të sigurohen lehtë në vend, ndaj shpresat janë që të mbërrijnë materiale të gatshme komprometuese nga Italia apo Greqia. Dy letër-porosi janë dërguar dhe po priten me plot kuriozitet përgjigjen që do vijnë nga prokuroritë e vendeve fqinje. Edhe nëse kjo ndodh, Tahiri është në një situatë të paparashikueshme, pasi në çdo dalje publike lëshon mesazhe kërcënuese për kryeministrin Edi Rama.

Marrim negociatat, “bie” klasa politike

Nëse në qershor marrim negociatat dhe zyrtarisht Shqipëria bëhet kandidat për në BE, do jenë gëzim ditor dhe përdorim politik i brendshëm për pak kohë. Futja në paradhomën e BE-së, ka të tjera kritere rigoroze dhe atëherë do të nevojitet përshtatja si me legjislacionin europian në të gjithë fushat, ashtu edhe në nivelin politik. Monitorimi do të jetë më i madh për më shumë që ka nisur të japë sinjalet se sistemi i drejtësisë po rinovohet.

“Unë dua ta them shprehimisht se Shqipëria ka bërë reforma të rëndësishme dhe se nëpërmjet tyre janë arritur përparime. Kemi folur edhe në takimin e fundit për këto, si për shembull, këtu e kam fjalën për sistemimin e drejtësisë, sepse nëpërmjet Reformës në Drejtësi, forcohet tërë integriteti dhe besueshmëria e tij. E dimë se procesi i vettingut tani po zgjerohet edhe në polici. Unë vetëm se mund të inkurajoj Kryeministrin dhe të vazhdojë këtë rrugë”, -tha Merkel.

Në fjalinë pasardhëse, kancelarja gjermane preku plagën kryesore në Shqipëri, që është lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Kemi folur edhe për fusha të tjera, siç është shteti i së drejtës në përgjithësi, por dhe lufta për krimin e organizuar dhe kundër korrupsionit. Unë mendoj se të gjitha këto kanë një rëndësi të madhe për Shqipërinë dhe për njerëzit e saj. Prej këtej lindin edhe potencialet për rritjen ekonomike. Prej këtej lindin edhe potencialet për korrektësinë dhe besueshmërinë për investitorët.

Nga këtu do të kemi shanse më të mira për të ardhmen e të rinjve, të cilët para së gjithash duhet të mbahen parasysh”-shtoi Merkel. Aktualisht vettingu në sistemin e drejtësisë po jep rezultatet e para, duke shkarkuar gjyqtarë dhe prokurorë, qoftë edhe me motivacionin se kanë bërë një deklaratë pasurie gabim. Gjithashtu edhe në polici po shtrihet vettingu, ku në bllok rreth 300 efektivë janë gati të japin dorëheqje, pasi i druhen një verifikimi të imtësishëm të integritetit të figurës, aftësisë profesionale dhe mosjustifikimit të pasurisë së vënë.

Po a është thelbi i gjithë kësaj reforme shkarkimi i ca qindra gjyqtarëve, prokurorëve dhe policëve? Do ishte amatorizëm të mendohej se qëllimi është vetëm pastrimi i të korruptuarve nga radhët e drejtësisë dhe policisë. Vettingu i vërtetë, i pashpallur publikisht, por me qëllim të qartë nga ndërkombëtarët, lidhet pikërisht me klasën politike dhe nëpunësit e nivelit të lartë të shtetit. Në rast të hapjes së negociatave, krijimit të institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë dhe monitorimit më të rreptë nga ndërkombëtarët, “prangat e arta” politike, do të nisnin të shtrëngonin duar.

Për të bërë “zap” Shqipërinë e vogël, BE-së dhe SHBA-së nuk do u duhet të shpikin mënyra të reja. Ata janë thuajse të gatshme, pasi vende si Kroacia, Bullgaria apo Rumania që janë ndër të fundit që u futën në familjen e kanë kaluar më parë këtë fazë patën një riformatim të sistemit të drejtësisë dhe më pas me një drejtësi të pavarur, të mbështetur gjerësisht nga qytetarët dhe ndërkombëtarët nisën arrestimet e para të politikanëve.

Për nga numri mund të ishin pak, por kjo lloj forme trembi të tjerë që u tërhoqën vetë nga politika, madje me frikën e përhershme se në dyert e shtëpisë në çdo kohë mund tu trokasë një polic që mban në duar një fletë-arresti. Pati një vetëpastrim dhe bëhet fjalë për rreth 60 për qind të politikanëve që përfaqësonin elitat politike të cilët u larguan. Edhe për Shqipërinë ky skenar nuk ka pse të mos jetë i mundur, duke nxitur ndryshimin e elitave politike. Ata që do të vinin, pavarësisht tundimit për të futur duart në arkën e madhe të korrupsionit, më së paku do frikësoheshin nga forca e ligjit./Mapo.al/