Rama niset për në Ankara, më 15 shtator e pret Mitsotakis në Athinë ku do të mbajë edhe një fjalim

0

Kryeministri Edi Rama mësohet se ka udhëtuar drejt Turqisë.

Vizita 24-orëshe e kryeministrit shqiptar në Akara do të jetë informale, por nuk përjashtohet edhe një takim me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan.

Vizita e Ramës në Turqi dhe takimi i tij me Erdogan vjen në një moment kur Ankaraja është në marrëdhënie tepër të tensionuara me Greqinë.

Ndërkohë Tirana zyrtare pret të rinisë me fqinjin e saj negociatat për arritjen e një marrëveshje të re për kufirin detar, sikurse është paralajmëruar edhe një vizitë e ministrit të Jashtëm grek në Tiranë.

Kryeministri shqiptar Edi Rama, është ftuar po ashtu për të marrë pjesë në një tryezë të rrumbullakët organizuar nga revista ‘The Economist’ me temë “Forcimi kohezionit në kohë turbulence në Europë” që mbahet në Athinë në mes të shtatorit.

Kryeministri shqiptar Edi Rama në vizitën zyrtare në Athinë, konfirmohet se do të takohet me homologun e tij Kyriakos Mitsotakis.

Rama, si kreu i OSBE-së, do të jetë midis atyre që do të marrin fjalën në konferencë.

Përveç Ramës dhe Mitsotakis, në konferencë do të marrin pjesë kryeministra aktualë dhe ish-kryeministra të vendeve të tjera, anëtarë të Bashkimit Evropian dhe një larmi politikanësh grekë.

Konferenca me titull “Tryeza e 24 e rrumbullakët me qeverinë e Greqisë” do të mbahet në 15 dhe 16 Shtator në Hotel Grand Resort në Lagonisi.

Pritet me interes vizita e Ramës, në Athinë. Kjo edhe shkak të tensioneve dhe debateve politike, lidhur me çështjen e kufirit detar.

Burime qeveritare greke thanë se ende nuk kanë një axhendë te detajuar të kryeministrit shqiptar.

Deklarata e kryeministrit grek në parlament, se Greqia do të zgjerojë kufijtë e saj detar në 12 milje, ka ndezur debate të brendshme në Shqipëri.

Kryeministri Edi Rama tha në një dalje të fundit televizive se po akuzohet nga ata që e shitën detin në vitin 2009, madje ironizoi edhe kritikuesit, duke u thënë se “aty është deti, shkoni lahuni kur të doni. Mund të gjeni atje edhe Monikën, për të ngrënë ndonjë peshk”, – duke aluduar se akuzat ndaj tij për detin janë thjesht të ‘gatuara’ dhe të orkestruara politikisht.

Pas vizitave në Ballkan, Rama pritet të ketë edhe një vizitë në Berlin dhe më pas do të bëjë bashkë dy qeveritë shqiptare, Tiranën dhe Prishtinën në mbledhjen që do të zhvillohet në Shkodër, në fund të këtij muaji.

/NOA.al