Rama: Nuk do të isha këtu nëse Serbia do vendoste veto për Kosovën, për mua dhe shqiptarët kjo çështje nuk negociohet

0

Kryeministri Edi Rama, fill pas konferencës së zhvilluar mes liderëve të Ballkanit Perëndimor, deklaroi dje, në një intervistë televizive se hapja e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë, me këtë proces, mund të bëhet realitet. “Ajo çfarë kemi folur e stërfolur për hapjen e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe për mundësimin e lëvizjes së lirë pa dy palë kontrolle, vjen dhe bëhet realitet me këtë proces të ri. Bazuar në këtë dakordësi nuk do të ketë më mundësi të buçasë menjëherë thirrja: “Edi Rama po synon Shqipërinë e madhe” apo “një axhendë alternative po triumfon me një plan B, C, D”. Jo, është momenti për t’i bërë të gjitha dhe besoj se kemi nevojë vetëm për një vullnet të fortë dhe një bashkërendim të veprimeve”, tha kryeministri Rama, ndërsa pyetjes së gazetares se përse Kosova nuk ishte e pranishme, ai iu shmang. Për mbledhjen e ardhshme, e cila zhvillohet më 10 nëntor, kryeministri Rama u pyet nëse do të ketë ftesë publike për Kosovën. Ai u përgjigj se ftesa është për 6 vendet që janë pjesë e Ballkanit Perëndimor, ndërsa shton se nëse Kosova do lihej jashtë, as Shqipëria nuk do të merrte pjesë. “Kryeministri Zaev e tha se në takimin e Ohrit do të ftohen të gjithë. Padiskutim, çfarë është shkruar në deklaratë është më shumë, me gjithë respektin për njëri-tjetrin, sepse është e shkruar e zeza mbi të bardhë dhe e konfirmuar nga tre palët. Serbia nuk ka vënë asnjë veto për këtë. Përndryshe, unë nuk do të isha këtu dhe nuk do të ishim duke shtrënguar duart. Për mua dhe për shqiptarët, kjo është një çështje që nuk negociohet”, deklaroi Rama. Lidhur me deklaratën se nuk pret që Bashkimi Evropian ta përqafojë dhe ta ulë në një tryezë, kryeministri u pyet nga gazetarja, nëse këtë proces po e zëvendësonte me Mini- Shengenin. “Jo, në asnjë mënyrë. I gjithë ky proces është i dakordësuar gjatë gjithë rrugës së procesit të Berlinit dhe nuk ka absolutisht asgjë të re në aspektin e ndonjë pike konflikti apo ndarjeje. Deklarata titullohet: Për zbatimin e katër lirive të BE në Ballkanin Perëndimor”, përfundon kryeministri i vendit, Edi Rama.