Rama për Erdogan: Mishërues i fjalëve të Profetit Muhamed

Kryeministri Rama përzgjodhi vlerësime të larta për presidentin turk Erdogan. Në Laç, ai tha se ndihej krenar që ishte mik i tij.

Rama ndau me publikun fjalët e para që Erdogan i kish thënë në takimin e tyre të parë.

“Sot dua të tregoj një episod që nuk kam për ta harrura nga takimi i parë me Erdogan, i cili asokohe ishte kryeministri i Turqisë. Unë isha i ndrojtur se i njihja vetëm nga televizori dhe nga televizori nuk duket dhe aq i buzëqeshur. Kur u takuam dhe ishim ulur ballë për ballë më shikonte, por nuk buzëqeshte. Unë ende nuk isha bërë kryeministër.

Më thotë: ‘Dëgjo këtu Shqipëria dhe Kosova janë në zemrën tim. Shqiptarët janë zemra e popullit turk. Unë dëshiroj që ti të jesh vëllai im, por do të them vëllai atëherë kur ti si kryeministër i vendit tënd të meritosh respektin e popullit tënd’.

Unë jam shumë krenar që ta quaj vetën miku i presidentit Erdogan. Madje edhe një gazetare gjermane më pyeti në një konferencë: ‘A është e vërtet që jeni miku i Erdogan?’ I thashë: ‘Jo nuk është e vërtetë! I thashë: ‘E kam shumi mik, jo mik’”, tha Rama.

Sipas kreut të qeverisë shqiptare, te Erdogan ai gjen një thënie të Profetit Muhamed.

“Është shumë e vështirë të gjesh njerëz në politikë që ‘Po’-në e kanë Po dhe ‘Jo’-në e kanë Jo. Presidenti Erdogan e mban fjalën. Kuptimi që ai i jep me vrap fjalës ‘vëllazëri’ është mishërimi i asaj që thotë Profeti Muhamed: Asnjë nga ju nuk beson nëse nuk dëshiron për vëllanë e vet të njëjtën gjë që dëshiron për veten e vet’”, tha Rama. /tesheshi.com/