Rama s’i lejon gazetarët nga Kosova t’i bëjnë pyetje Merkelit (VIDEO)

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, nuk i ka lejuar gazetarët e Kosovës që t’i drejtojnë pyetje kancelares Angela Merkel.

Kështu ka bërë të ditur gazetari i Klan Kosovës Enis Reçica.

Reçica tha se në konferencë kanë qenë gazetarët e gjashtë mediave nga Kosova dhe për 40 minuta kanë kërkuar fjalën për t’i bërë pyetje kancelares Merkel, por që thotë se një gjë e tillë nuk iu është lejuar.

“Në këtë video është dora ime, dhe e dy kolegëve të tjerë nga mediat kosovare. E kërkuam fjalën që nga fillimi i konferencës mes Kancelares Angela Merkel e Edi Rama. Ishte e kot, as pas 40 minutave të konferencës nuk na u dha fjala, të 6 mediave nga Kosova (sa ishim prezente e të akredituara) që t’i bëjmë ndonjë pyetje kancelares gjermane.Sigurisht temë kyqe e jona ishte Kosova, Serbia, marrëveshja përfundimtare, dialogu, liberalizimi, Open Ballkan etj”.

Gazetari i Klan Kosovës Enis Reçica që ka përcjellë nga afër këtë ngjarje bashkë me gazetaren tjetër të Klan Kosovës Yllnora Elshani ka treguar se gazetarët e akredituar nga Kosova paraprakisht ishin regjistruar për të bërë pyetje, por një gjë e tillë nuk kishte ndodhur gjatë konferencës.

“Gjatë konferencës që zgjati 40 minuta e kancelares Merkel dhe kryeministrit Rama të akredituar ishin rreth gjashtë media të Kosovës. Në kuadër të përgatitjeve kërkuam nga zyrtarja e kabinetit të Edi Ramës që të shënohemi në mesin e gazetarëve që dëshirojnë të bëjnë pyetje dhe ajo mori të dhënat tona dhe e pa dëshirën e gazetarëve që jemi të interesuar të bëjmë pyetje. Në fund e patëm të pamundur të bëjmë pyetje. Është e çuditshme meqë iu dha hapësirë shumë e madhe mediave të Shqipërisë dhe mediave gjermane dhe pyetjet e gazetarëve të Shqipërisë ishin kryesisht të lidhura me çështjen e Procesit të Berlinit dhe anëtarësimin e Shqipërisë në BE, por nga asnjë gazetar nuk u përmend çështja e Kosovës, dialogut me Serbinë, a është kërkuar nga Angela Merkel njohja e Kosovës nga ana e Beogradit zyrtar dhe të tjera. Këto çështje ishin në interesin tonë që të dimë nga kancelarja Merkel, por kjo na u pamundësua”.

Reçica në Info Magazine ka treguar edhe se cili ishte reagimi i kryeministrit shqiptar Edi Rama për gjithë këtë çështje.

“Pas përmbylljes së konferencës, Edi Rama u drejtua te ne pasi ne reaguam dhe na pyeti se çka është problemi. Kryeministri i Shqipërisë kërkoi sqarime dhe u interesua pse ndodhi reagimi jonë. Edi Rama tha se nuk ka forcë të ndikojë për një gjë të tillë, por në fakt nga zyra e tij ishte menaxhuar e gjithë konferenca dhe se kush nga gazetarët duhet të bëjë pyetje. Edi Rama na tha “Nëse keni pyetje jam i hapur”, por ne thamë që interesi jonë ishte që të dëgjojmë përgjigje nga kancelarja Angela Merkel”./KlanKosova