Armand Shkullaku
Kriza e fundit në Kosovë dhe roli që po përpiqet t’i ngarkojë vetes Edi Rama në zgjidhjen e saj, po nxjerrin gjithnjë e më shumë në pah hendekun mes thelbit dhe sipërfaqes tek kryeministri shqiptar. Ai mund të jetë i aftë të prodhojë lajm, por deri më tani nuk ka regjistruar asnjë rezultat në arenën globale ku po rreket të luajë.
Nëse në Tiranë propaganda e dirigjuar nga spin doktorët e tij e paraqet kryeminstrin shqiptar si një figurë me peshë të rëndë në skenën ndërkombëtare, ngjarjet e projektuara, me atë si protagonist, arkivohen njëra pas tjetrës. Edi Rama negociator i krizës në Bjellorusi, njeriu që do pajtonte Turqinë dhe Greqinë për kontestin e ishujve në Egje, lideri që do arrinte pajtimin shekullor shqiptaro- serb si gjermanët e francezët pas Luftës së Dytë, udhëheqësi që e ka zili Evropa dhe e ëndërron Nato, politikani që liroi policët e burgosur në Serbi dhe që tani ka ofruar idenë gjeniale të mbylljes së Kurtit e Vuçiçit në një dhomë nga ku nuk do të dalin pa arritur një marrëveshje.
Pikërisht konceptimi i politikës së jashtme si një big brother, si një shfaqje showbizi, pa përmbajtje, pa peshë dhe pa njohurinë e domosdoshme për të trajtuar tema delikate, i ka reduktuar tentativat e Edi Ramës thjesht në lajme për entuziastët e tij në Tiranë. Ndërsa tek aktorët kryesorë nuk kanë arritur të lënë asnjë gjurmë.
Në rastin e propozimit për “kyçjen” e Kurtit dhe Vuçiçit, i cili është përcjellë me buzëqeshje nga negociatorët realë të krizës në Kosovë, dallohet qartë prirja e Ramës për të bërë një pop- lajm dhe mungesa e njohurive serioze për çfarë ka ndodhur dhe po ndodh mes atyre dy vendeve. Shkaqet e krizës nuk kanë të bëjnë thjesht me vullnetin e dy liderëve apo strategjinë e tyre për të fituar pikë në opinionin e brendshëm. Kriza buron nga mosnjohja e Serbisë së një realiteti të ri politik e shtetëror që është Kosova dhe, në një çerek shekulli, edhe liderë të tjerë të këtyre dy vendeve nuk kanë arritur të gjejnë një kompromis, megjithë përpjekjet e SHBA dhe BE. Të thuash që kjo do të zgjidhet duke shikuar nga e ardhmja dhe duke u ulur në tryezë bisedimesh, është sikur të mos thuash asgjë.
Edi Rama propozoi dhe një tekst për asociacionin e komunave me shumicë serbe, që dy vendet e përfshira në krizë as nuk denjuan ta konsiderojnë. Sepse ato nuk janë në konflikt ngaqë nuk gjejnë ekspertë për të hartuar një draft, por sepse nuk bien dakort se si duhet të duket ky draft. Edhe kjo lëvizje qe një lajm tre ditor për entuziastët e paguar të Ramës dhe mbeti po aq.
Pastaj u vazhdua me kërcënime se do ngrinte Ballkanin e Hapur dhe marrëdhëniet me Serbinë, por prapë as kjo nuk u mor seriozisht nga Beogradi që përtoi të bënte qoftë dhe një reagim. Më vonë u përpunua skenari, se pas lirimit të tre policëve qëndronte Edi Rama, por Vuçiç nuk përmendi kurrë ndonjë rol të tij dhe kryeministri Orban doli publikisht si njeriu që ndikoi mbi presidentin serb. Tani i ka ardhur radha idesë së konferencës ndërkombëtare me mbylljen me çelës si në big brother të Kurtit e Vuçiçit. Përveç titujve të njëjtë në mediat e kontrolluara të Tiranës, edhe ky propozim po shkon me të shumtit.
Inisiativat e Edi Ramës nuk kanë dhe nuk mund të kenë sukses për sa kohë ato thurren nën ndikimin joshës të protagonizmit dhe me dembelizmin që të jep lehtësia për t’i përkëdhelur gjërat vetëm në sipërfaqe. Të marrësh përsipër sfida të tilla, nuk është si të tërheqësh vëmendjen duke veshur atlete në një samit ndërkombëtar apo duke ndukur kryeministren e Italisë. Ato kërkojnë punë të madhe dhe angazhim serioz. Të njohësh situatën, të komunikosh thellësisht me palët, të arrish të bësh diplomaci edhe jashtë kamerave (gjë që Edi Rama as që e çon ndërmend), të kërkosh mbështetje pa interes vetiak nga liderë botërorë e lobime politike, të durosh të veprosh edhe në hije duke i rezistuar tentacionit të skenës me drita. Të sakrifikosh nga egoja personale për të arritur diçka më të madhe.
Edi Rama nuk e njeh këtë lloj politike. Jo thjesht nga mania për protagonizëm, por dhe nga paaftësia apo përtacia për t’u hyrë gjërave në thelbin e tyre. I mësuar me suksesin e formës dhe propagandës në Shqipëri, atij i duket tmerrësisht e mundimshme t’i hyjë një pune të vërtetë dhe aq më keq akoma nëse prozhektorët nuk bien mbi të. E nëse me këtë mënyrë ia ka dalë të mbijetojë në katundin tonë politik, kur përpiqet ta shtrijë përtej, hendeku mes formës dhe thelbit e bën të parëndësishëm. Në regjistër i mbeten vetëm titujt e mediave që kontrollon vetë.
Mjafton të rreshtosh deklaratat e tij në mediat e huaja apo në samitet ndërkombëtare, për të kuptuar se përse askush nga faktorët relevantë nuk e merr seriozisht. Në fillim të qershorit, për shembull, thoshte për BBC se “ka një situatë shqetësuese në veri të Kosovës, po nuk do ta vija shumë theksin te rreziku”. Pas tre javësh në Bruksel deklaronte se “perspektiva e një Donbasi të vogël në mes të Europës, është një rrezik real”. Pra kur mendon se mund të pranohet si negociator nga palët, rreziku është i parëndësishëm, kur kërkon të imponohet si i tillë, paralajmëron një skenar ukrainas.
Kjo e plot lajthitje të tjera, po bëjnë që kryeministri shqiptar të vizatohet gjithnjë e më shumë si lideri i një vendi të vogël që kërkon rol protagonisti por që mbetet te showbizi. Ai mund të duket argëtues për ndërkombëtarët, por lider global mbetet vetëm për trushplarët. ©lapsi